Një person humbi jetën mbrëmë si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Korroticë të Drenasit.
Shoferi i automjetit raportohet se humbi kontrollin gjatë lëvizjes dhe është rrokullisur në shiritin e majtë të rrugës.
Rasti për IndeksOnline është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili ka apeluar për kujdes të shtuar nga ana e shoferëve.
Hoxha bëri me dije se vetëm në periudhën janar-korrik të këtij viti, 59 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.
Nga 59 viktimat, 33 prej tyre kanë qenë shoferë.
“Kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve (shoferët) që të jenë vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve, në mënyrë që të shmangen aksidentet rrugore, që shpesh po rezultojnë me humbje të jetëve njerëzore” apeloi Hoxha.
Ai njoftoi se policia është duke marrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
“Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, po ndërmerr dhe do të ndërmarrë masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi, me të vetmin qëllim parandalimin e aksidenteve të tilla tragjike” deklaroi Hoxha./IndeksOnline