Pas javësh të tëra përpjekjesh të ushqente gjashtë fëmijët e saj në Gazë, një grua 38-vjeçare mendoi se kishte gjetur një mundësi shpëtimi.
Në një tendë, një mike i tregoi për një burrë që mund ta ndihmonte me ushqim, para dhe ndoshta edhe një punë. Gruaja, e ndarë nga burri dhe e detyruar ta mbyllte biznesin që dikur e mbante familjen, iu afrua këtij burri.
Ajo tha se kjo ndodhi rreth një muaj pas fillimit të luftës në Gazë, dhe ai i premtoi një kontratë pune për gjashtë muaj në një organizatë ndihmash. Ditën kur mendonte se do të firmoste dokumentet, ai e çoi jo në zyrë, por në një apartament bosh. Ajo tregon se ai e komplimentoi dhe i kërkoi ta hiqte shaminë nga koka.
“Më tha se më donte dhe se nuk do të më detyronte të bëja diçka”, tha ajo, “por nuk më lejoi të largohesha”. “Më pas ndodhi një marrëdhënie seksuale”, tha ajo. Nuk dha detaje për natyrën e asaj që ndodhi, sepse ndiente frikë dhe turp.
“Duhej të bëja sikur po pranoja, sepse kisha frikë, doja vetëm të largohesha prej andej”, tha ajo.
Para se të largohej, burri i dha pak para – 100 shekelë, rreth 30 dollarë. Dy javë më vonë, i dha një kuti me ilaçe dhe një kuti me ushqime. Por puna që ia kishte premtuar nuk u realizua asnjëherë.
Teksa kriza humanitare në Gazë përkeqësohet, gratë tregojnë se janë shfrytëzuar nga burra vendas, disa të lidhur me organizata ndihmash – të cilët u kanë premtuar ushqim, para, ujë, ndihma ose punë në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
Gjashtë gra ndanë përvojat e tyre me Associated Press, të gjitha duke kërkuar të mbeten anonime, nga frika e hakmarrjes nga familjarët ose burrat, dhe ngase ngacmimi e sulmi seksual janë tema tabu në kulturën e tyre.
Disa herë, thanë ato, kërkesat e burrave ishin të drejtpërdrejta: “Më lër të të prek”, kujtoi një grua që i kishte thënë një burrë. Herë të tjera, kërkesat ishin më të fshehura.
“Dua të martohem me ty” ose “Hajde të shkojmë diku bashkë”.
Organizatat humanitare dhe ekspertët thonë se shfrytëzimi ndodh shpesh gjatë konflikteve dhe krizave, kur njerëzit janë të zhvendosur dhe varen nga ndihmat. Raste të tilla janë raportuar edhe në Sudanin e Jugut, Burkina Faso, Kongo, Çad dhe Haiti.
“Është një realitet i tmerrshëm që krizat humanitare i bëjnë njerëzit të pambrojtur në shumë mënyra – dhuna seksuale shpesh është një pasojë”, tha Heather Barr, zëvendësdrejtoreshë për të drejtat e grave në Human Rights Watch. “Situata në Gazë sot është e padurueshme, sidomos për gratë dhe vajzat”.
Katër psikologë që punojnë me gra në Gazë treguan përvojat e pacienteve të tyre për AP. Njëra prej tyre tha se organizata e saj, që merret me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, kishte trajtuar dhjetëra raste të burrave që kishin shfrytëzuar seksualisht gra të pambrojtura, përfshirë edhe disa raste ku ato kishin mbetur shtatzënë.
Psikologët, të gjithë palestinezë që punojnë në organizata lokale në Gazë, kërkuan të mbeten anonimë për të ruajtur privatësinë e grave dhe për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre rasteve, në një kulturë ku marrëdhëniet jashtëmartesore janë një turp i madh.
Ata thanë se asnjë nga pacientet e tyre nuk dëshironte të fliste drejtpërdrejt me AP-në.
Pesë nga gratë që ndanë historitë e tyre me AP-në thanë se nuk patën marrëdhënie seksuale me burrat. Psikologët thanë se disa gra që u kishin treguar atyre për këto raste kishin pranuar kërkesat e burrave, ndërsa të tjera i kishin refuzuar.
Gjashtë organizata për të drejtat e njeriut dhe ndihma humanitare, përfshirë grupin lokal palestinez Qendra për Çështjet e Grave dhe rrjetin Mbrojtja nga Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual, i cili bashkëpunon me organizata të ndryshme ndihmash, përfshirë agjencitë e Kombeve të Bashkuara – i thanë agjencisë AP se janë në dijeni të raportimeve për abuzim dhe shfrytëzim seksual të lidhura me marrjen e ndihmës humanitare.
Organizatat e ndihmës thonë se situata në Gazë, gati dy vjet luftë, zhvendosja e të paktën 90% të popullsisë dhe kaosi rreth shpërndarjes së ndihmave e kanë bërë punën humanitare jashtëzakonisht të vështirë. Teksa uria dhe dëshpërimi rriten në të gjithë enklavën, gratë veçanërisht thonë se janë detyruara të bëjnë zgjedhje, që dikur ishin të pamundura.
Këto organizata i fajësojnë ofensivën dhe bllokadën e Izraelit për krizën humanitare dhe thonë se lufta e ka bërë të vështirë dokumentimin e rasteve të shfrytëzimit. Më shumë se 66.000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë. Ministria nuk e ndan se sa prej të vrarëve janë civilë e sa luftëtarë, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth gjysmën e viktimave.
“Rrethimi i Gazës nga Izraeli dhe kufizimet ndaj ndihmës humanitare janë ato që po i detyrojnë gratë të shkojnë deri në këtë pikë”, tha Amal Syam, drejtoreshë e Qendrës për Çështjet e Grave.
Izraeli pretendon se nuk ka vendosur kufizime për ndihmat dhe se ka ndërmarrë hapa për të rritur sasinë e ndihmave që futen në Gazë. Izraeli gjithashtu akuzon Hamasin se po i vjedh ndihmat, pa ofruar prova për një shpërdorim të gjerë dhe fajëson agjencitë e OKB-së për dështim në shpërndarjen e ushqimit që është lejuar të hyjë. Kombet e Bashkuara mohojnë që ndihma të jetë shpërdoruar në mënyrë të përhapur.
Të dhënat e kufizuara janë vetëm “maja e ajsbergut”
Një nga gratë që foli për AP tregoi për telefonata që nisën në tetor, një vit pas fillimit të luftës. Në fillim, tha ajo, burri i bënte pyetje të zakonshme: Çfarë ndodhi me burrin e saj? Sa fëmijë kishte? Por më pas, gruaja 35-vjeçare, e ve, tha se ai ndryshoi tonin. Pyeste çfarë të brendshme kishte veshur, si e kënaqte burri i saj.
Ajo tha se e kishte takuar burrin në Muwasi, një zonë që Izraeli e kishte shpallur si zonë humanitare. Ajo rrëfeu se ishte në radhë për ndihma dhe ia dha numrin e telefonit një punonjësi ndihme, një palestinezi me uniformë të shënuar UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë).
Pak pasi ia dha numrin, nisën telefonatat natën vonë. Sipas saj, ai bënte pyetje seksuale dhe ajo rrinte e heshtur. Një herë, ai i kërkoi të shkonte tek ajo për të kryer marrëdhënie. Ajo refuzoi. Pas afro 12 telefonatash dhe asnjë ndihme, ajo e bllokoi numrin e tij.
Gruaja tha se e raportoi rastin me një ankesë gojore tek UNRWA në Gazë. Ajo tregoi se i thanë se duhej të kishte regjistrime si provë, por telefoni i saj i vjetër nuk regjistronte thirrje.
Drejtoresha e komunikimit të UNRWA-së, Juliette Touma, në një përgjigje me email tha se agjencia ka zero tolerancë për shfrytëzimin seksual, e merr seriozisht çdo raportim dhe nuk kërkon prova. Por nuk pranoi të komentojë nëse ishin në dijeni për këtë rast konkret, duke thënë se UNRWA nuk diskuton raste individuale.
Sipas rrjetit PSEA (Mbrojtja nga Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual), ku bën pjesë edhe UNRWA, të mbijetuarit mund të raportojnë në mënyrë anonime, pa dhënë emrin e abuzuesit dhe nuk janë të detyruar të sjellin prova.
Sarah Achiro, koordinatore e rrjetit PSEA, tha se është shumë e vështirë të kuptohet shkalla e shfrytëzimit në Gazë, për shkak të lidhjes së dobët me internetin dhe zhvendosjes së vazhdueshme që e bën më të vështirë ndihmën dhe krijimin e besimit me viktimat.
Ajo shtoi se dhuna seksuale është shumë pak e raportuar, sidomos në kohë lufte, dhe të dhënat që kanë janë “vetëm maja e ajsbergut”.
Rrjetit PSEA vitin e kaluar ka marrë 18 ankesa për abuzim seksual të lidhur me ndihmat humanitare në Gazë, të gjitha përfshinin ose punonjës ndihme ose persona të lidhur me ta, si përfaqësues komuniteti apo kontraktorë privatë. Hetimet i bën organizata që punëson personin e akuzuar. Rrjeti nuk pranoi të tregojë se sa raste po hetohen, duke thënë se nuk mund të japin detaje pa përfunduar zyrtarisht rastet.
“I thashë vetes se askush nuk do të më besonte”
Katër nga gratë që folën me AP-në thanë se burrat që i ngacmonin ishin prezantuar si punonjës ndihme ose si liderë lokalë që premtonin ndihma.
Ashtu si e veja, disa gra treguan se kjo ndodhi gjatë regjistrimit për ndihma, kur burrat merrnin numrin e tyre të telefonit – një hap i zakonshëm në këtë proces dhe pastaj i telefononin. Të gjitha thanë se burrat ishin palestinezë. Disa nuk ishin në gjendje të identifikonin se cilës organizatë i përkisnin.
Organizatat humanitare dhe OKB-ja shpesh bashkëpunojnë me komunitetet vendase: paguajnë punëtorë lokalë, përdorin vullnetarë, apo punojnë me liderë komuniteti.
Nëna e gjashtë fëmijëve tha se burri që i premtoi punë lëvizte me makinë me shenja të OKB-së. Pas ngjarjes mes tyre, ai vazhdoi t’i dërgonte mesazhe, telefonata natën vonë me përmbajtje seksuale dhe kërkesa për foto. Ajo mundohej t’i shmangte: thoshte se ishte e zënë, telefoni i ishte prishur, nuk mund të fliste.
Rreth një muaj pas kontaktit seksual, ajo e pa përsëri burrin në një pikë ndihme, në dhjetor 2023. Ai e ndihmoi që të marrë një pozicion pune 6-mujor me UNRWA-n, të cilin ajo e përfundoi.
Ajo tha për AP-në se nuk e raportoi kurrë burrin, ngjarjen apo përpjekjet e tij për shfrytëzim.
“I thashë vetes se askush nuk do më besonte”, tha ajo. “Mbase do thoshin se po e sajoj vetëm që të më jepnin një punë”.
E pyetur për këtë histori, përfaqësuesja e UNRWA, Juliette Touma, theksoi politikën e tyre për zero tolerancë ndaj abuzimit dhe tha se organizata do të kërkonte më shumë informacion mbi këto raste.
Që nga kontakti me burrin, gruaja është zhvendosur, nuk ka më punë dhe e ka të vështirë të ushqejë familjen. Ajo tha se e ka bllokuar numrin e burrit, por ai është përpjekur ta kontaktojë përsëri edhe gjatë kësaj vere.
Pavarësisht turpit, shfrytëzimi po rritet
Disa gra thanë se janë ngacmuar disa herë, nga burra të ndryshëm gjatë luftës.
Një nënë e katër fëmijëve, 37-vjeçare, tha për AP-në se i është afruar dy herë drejtuesi i një vendstrehimi. Ai i ofroi ushqim dhe strehim nëse “shkonin diku bashkë”, si në det. Ajo tha se e kuptoi që po kërkonte diçka seksuale dhe e refuzoi.
Psikologët dhe grupet për të drejtat e grave thanë se rastet janë shtuar ndërsa kriza është thelluar – me më shumë njerëz të zhvendosur, të varur nga ndihmat dhe të grumbulluar në kampe. Një psikolog tregoi se disa gra janë përzënë nga shtëpia kur burrat e tyre kanë marrë vesh çfarë ka ndodhur.
Para luftës, raportimet për raste shfrytëzimi ndodhnin një ose dy herë në vit, por tani janë rritur shumë, tha Amal Syam nga Qendra për Çështjet e Grave. Por ajo shtoi se shumë organizata nuk i publikojnë numrat apo nuk e trajtojnë këtë çështje.
“Shumica prej nesh preferojmë të përqendrohemi te dhuna dhe shkeljet e kryera nga pushtimi izraelit”, tha Syam.
Izraeli pretendon se po lufton për ta shkatërruar Hamasin dhe për të liruar pengjet e marra gjatë sulmit të vitit 2023, dhe se përpiqet të shmangë dëmin ndaj civilëve sa më shumë të jetë e mundur.
Gratë që folën për AP-në thanë se është e rëndësishme të përpiqen të ruajnë dinjitetin e tyre ndërsa lufta vazhdon.
Një nënë 29-vjeçare tha se për javë të tëra, vjeshtën e kaluar, merrte telefonata nga një punonjës ndihme që i kërkonte të martoheshin në këmbim të ushqimit për katër fëmijët e saj.
Ajo refuzoi dhe e bllokoi numrin, por ai vazhdoi ta telefononte nga numra të tjerë. Ia shprehte pëlqimin dhe i bënte komente që ajo i quajti shumë vulgare për t’u përsëritur.
“U ndjeva e poshtëruar plotësisht”, tha ajo. “Duhej të shkoja dhe të kërkoja ndihmë për fëmijët e mi. Po të mos e bëja unë, kush do ta bënte”, ka thënë ajo. /Koha