Mbrëmë në Teatrin ‘Oda’ u hap Festivali ‘Polip’, bashkërisht me hapjen e festivalit u dha edhe shfaqja e dramaturgut sirian Mudar Alhaagi, me regji të Omar Elerian, “Hija e Gjatë e Alois Brunner”
“Hija e Gjatë e Alois Brunner” eksploron historinë e vërtetë të një prej kriminelëve nazistë më të kërkuar që i shpëtoi dënimit. Instrumental në deportimin e mbi 100.000 personave në kampe të përqendrimit dhe geto, Alois Brunner i shpëtoi disa tentimeve për arrestim – duke ikur në Damask ku ndihmoi në ndërtimin e shërbimeve të inteligjencës siriane.
Në lupen historike
Dy aktorët, Wael Kadour dhe Mohamad Al Rashi, do ta mbajnë shfaqjen tek perpelitet ta marrë një epilog final, një fund që nuk dihet, një fund të cilin dramaturgu ka shmangur. Përderisa krejt narrativa e shfaqjes mbështetet tek histori të vërteta, fundi nuk është se nuk dihet, është i mjegulluar por fund ka, një i tillë që gjasmë i pritshëm ka qenë nga fillimi. Kur dramaturgu Alhagi mbërrin në Berlinin e shekullit XXI si refugjat, ai zbulon historinë e Brunnerit dhe fillon ta hulumtojë me obsesion, para se të zhduket vetë. Kërkimi i tillë obsesiv i dramaturgut për t’i dhënë fundin shfaqjes do të jetë pika kulminante e saj. Emocioni më i madh i kësaj shfaqje është pikërisht loja e dy aktorëve në këtë akt, në këtë gjendje e cila kalon edhe individin edhe teatrin edhe lojën dhe bashkohet me histori kolektive të një shoqërie ose edhe me tej tek shumë shoqëri që ndajnë fate të njëjta e që tkurren për t’u mishëruar veç tek një individ, për t’u rrëfyer veç nga njëri nga ta. Kalimi i personazheve nga njëri akt në tjetrin për të sjell ngjarjen nga disa këndvështrime, nga perspektiva të ndryshme zëvendësojnë habinë e publikut për një ngjarje e cila mund të duke e largët, e panjohur ama shumë e rëndësishme.
Loja që kalon kufijtë
“Hija e Gjatë e Alois Brunner” eksploron historinë e vërtetë të një prej kriminelëve nazistë më të kërkuar që i shpëtoi dënimit. Instrumental në deportimin e mbi 100,000 personave në kampe të përqendrimit dhe geto, Alois Brunner i shpëtoi disa tentimeve për arrestim – duke ikur në Damask ku ndihmoi në ndërtimin e shërbimeve të inteligjencës siriane.
Shfaqja kaloi nëpër teatro botërore duke përcjellë historinë e ngjizjes së saj dhe duke gjetur teatrin si medium artistik për të rrëfyer disa të vërteta historike që bashkë me to na e sjellin komplet një periudhë të shoqërisë globale para sysh; atë të luftës e të pas luftës së dytë botërore.
Dialogu i dy aktorëve në skenë, në aktin e zhveshjes se figurës së Leninit, dhe filmave të asaj periudhe, sidomos kinematografisë gjermane, bart një aspekt të lojës teatrale që rrinë bukur kur vjen në atë fazë të zhvillimit të shfaqjes e aq më shumë kur aty-këtu përdoret satira. Zakonisht edhe në prodhimet e filmave që në bosht kanë Luftën e Dytë Botërore dhe tiranët e kësaj periudhe të errët të historisë së njerëzimit, kanë ditur ta gjejnë shumë lehtë dhe fuqishëm rrugën tek audienca përmes satirës e metaforës.
Shfaqja e shkruar nga Mudar Alhaagi ka një të veçantë të madhe, sepse dy personazhe i end nëpër secilën katrahurë të mundshme. Përmes dy personazheve tregohen plot histori kolektive që gjenezën e kanë tek tjetri, tek njëri që nuk i përmendet emri në shfaqje, sepse nuk ka nevojë, tashmë e dimë. Edhe kur thuhet që historia e hulumtimit të dramaturgut shndërrohet në obsesion, vërtet qëndron. Diçka të tillë e vërejmë në shfaqje, në aktin e përhumbjes së njërit nga personazhet, kur ai çirret në një ambient të mbyllur prej të cilit dalin thërritje dhe të qeshura histerike; ky është momenti që regjisori luan dyfish, këtu na rrëfehen dy histori, ajo e Alois Brunner dhe ajo e njeriut që hulumtoi mbi historinë e tij.
Para një fjalëkryqi me pikëpyetje
“Hija e Gjatë e Alois Brunner” e solli në Teatrin ‘Oda’ edhe një pjesë të madhe të një kulture tjetër, ani pse e vështirë titrimi në një shfaqje, megjithatë emocioni i përcjellë përmes gjuhës arabe, gjuhës së aktorëve e bënte rrëfimin shumë më autentik.
Përdorimi i zhanreve të ndryshme në shfaqje dhe një dorë që ndikon në aspektin e rrëfimit personal janë dy mbajtëset kryesore të saj. Përmendet filmi, letërsia, kultura, na paraqiten video incizime, informata dhe poashtu një gërshetim mes të kaluarës dhe të tashmes përmes lidhjeve që regjisori i benë brenda skenës. Përtej asaj që i vërejmë, përtej objekteve në skenë që tregojnë për një kulturë tjetër, në “Hija e Gjatë e Alois Brunner” shohim shumë çka; dialog, kapërcime nëpër akte, emocion, tronditje e nganjëherë edhe të qeshura. Ajo që shfaqjen e bën t’i rezistojë kohës, ani pse po flasim për një periudhë të largët, është pikërisht ndikimi i rrëfimeve personale dhe poashtu puna e regjisorit me të gjitha detajet, përshtatjet e tij.
Historia siriane dhe gjermane që endet nëpër skenën teatrore në këtë shfaqje na përball me një realitet interesant e që na vendos patjetër para një fjalëkryqi me pikëpyetje.
Shënim biografik
Alois Brunner ishte një oficer i lartë nazist dhe ndihmës i ngushtë i Adolf Eichmann, përgjegjës për deportimin e mbi 100,000 hebrenjsh drejt kampeve të përqendrimit gjatë Holokaustit. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai i shpëtoi drejtësisë duke u arratisur fillimisht në Egjipt dhe më pas në Siri, ku jetoi për dekada nën mbrojtjen e regjimit sirian. Në Damask, ai ndihmoi në ndërtimin e shërbimeve të inteligjencës dhe në trajnimin e agjentëve për torturë dhe përndjekje. Edhe pse u përpoqën disa herë ta kapnin, ai kurrë nuk u përball me drejtësinë dhe besohet të ketë vdekur në Siri rreth vitit 2001, pa u dënuar ndonjëherë për krimet e tij.
Shfaqje teatrore: Hija e Gjatë e Alois Brunner
Prodhuar nga: Collective Ma’louba në bashkëpunim me euro-scene Leipzig, Factory International dhe Theater an der Ruhr.
Nga: Mudar Alhaggi Regjia: Omar Elerian
Aktorët: Wael Kadour & Mohamad Al Rashi
Dizajni: Jonas Vogt
Këshillë dramaturgjike dhe hulumtim: Eric Altorfer
Producent Ndërkombëtar: Eckhard Thiemann
/Gazeta Express