string(36) "shfaqja-paslufta-vret-te-virtytshmit"

Arte

Donjeta Abazi

25/05/2025 13:05

Shfaqja/  Paslufta vret të virtytshmit

Arte

Donjeta Abazi

25/05/2025 13:05

Më 23 maj, në Teatrin Oda u dha premierë shfaqja “Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Neziraj. Shfaqja erdhi si dokumentim i jetës dhe tragjedisë së arkitektit dhe planifikuesit hapësinor të Prishtinës, Rexhep Lucit

Krimi i para 25 viteve në Kosovën e pasluftës gjeti guximin të vihej në lojë në skenën teatrore, duke mbijetuar si një dokumentim skenik për shpresën e dashurinë ndaj Prishtinës deri tek korrupsioni, dhuna, vrasja, katandisja e këtij qyteti, e kryeqytetit tonë.

Loja teatrore mbi fatin e një individi

Shfaqja vazhdimisht është e ndihmuar nga statistikat, nga fakte, nga matje të bëra, dhe nga rrëfime të ngjizura mbi fundin e jetës së Rexhep Lucit dhe fillimin e vazhdës së një serie krimesh të pasluftës. E krejt loja sillet në dhimbjen e protagonistit dhe të tjerëve për një Prishtinë që planifikohej ta shihnim, ta jetonim e që kurrë nuk do të mundnim.

Portretizimi i disa figurave që në shfaqje rrëfejnë për fatin e arkitektit dhe fatin e qytetit bashkë me lojën artistike sjellin diçka të dhimbshme që ani pse kemi mundur ta dëgjojmë e shohim të jetësuar nëpër personazhe, prandaj emocioni është më i madh dhe frustrimi poashtu. Përkundrejt që në rrezik di ta vendosë ngjarja shfaqjen, megjithatë kësaj here pjesa artistike në harmoni me ngjarjen do t’i qëndrojnë besnike njëra-tjetrës deri në fund. Jo e domosdoshme në skenë është pjesa e rrëfimit të ndjesive të kastës së aktorëve, që ndodh diku kah fundi i shfaqjes, duket paksa i forcuar dhe jo i domosdoshëm. Në të gjitha pjesët tjera, sidomos kah mesi i shfaqjes, deri tek shpërthimet e protagonisteve gjithçka është në vend të vet. Loja e aktorit Armen Smajlit në portretizimin e protagonistit kryesor, të vet arkitektit i ndihmon shfaqjes jashtëzakonisht në skenë.

Çka e vrau arkitektin në skenë?

Kur themi teksti i shfaqjes është i bazuar kryekëput në fakte dhe të gjetura deri më tani, nuk gabohemi. I ndërtuar mbi gjithçka që dihet deri më tani për vrasjen e arkitektit nga korrupsioni, banditët, ozurpuesit dhe mafia e nëntokës, teksti i kësaj drame është një hap i guximshëm që gjeti vend në një hapësirë teatrale veç tani, pas 25 viteve.

I dalë nga lufta, një vend që edhe ashtu ishte i varfër, u varfërua edhe më, deri në fijen që i ndante fatet e njerëzve mes ekzistencës dhe pasurimit të brenda natës. Mes gjithë katrahurës për rindërtim, në Kosovë pas çlirimit gjithçka u ndërtua, shpejt për ngut, pa plan afatgjatë e pa ide largpamëse. Një individ të luftonte me të gjithë ishte një luftë e pakuptimtë, një vend me njerëz që zor se e siguronin luftën për mbijetesë nga mëngjesi në mbrëmje nuk kishte fuqi e as interes për të menduar përtej kësaj, e aq më pak të ngriteshin kundrejt një sistemi që po shkatërronte hapësirën e qytetit, po betonizonte kryeqytetin.

Fakte të tilla matje të tilla, janë të regjistruara, të tilla na vijnë në këtë shfaqje, ama ne guxojmë të flasim edhe pa qenë të bazuar në numrin e ndërtesave që u bën pa leje, pa numrin e parqeve që nuk u ndërtuan, për numrin e banesave që nuk do t’i mbijetonin ndonjë fatkeqësie natyrore, e për plotë numra tjerë, dhe kjo për një arsye të thjeshtë, ne jetojmë çdo ditë në këtë qytet, e jetojmë çdo ditë arkitekturën e këtij qyteti, i jetojmë çdo ditë këta numra dhe duke jetuar në këtë mënyrë padyshim që e kemi idenë ku nisi gjithë kjo dhe çka e nisi gjithë këtë.

Shfaqja ka një pikë të fort trajtimi, atë të zhgënjimit të arkitektit para vdekjes, zhgënjimin e njeriut i cili dukej sikur asokohe ishte i vetmi që e dinte çka e priste qytetin në të ardhmen, i pafuqishëm për tu shndërruar në heroinë urbanistik të Prishtinës ai u kthye në një tragjedi familjare dhe një mungesë të madhe profesionale. Jo vetëm ai edhe shumë para e pas tij.

Nga një histori personale e angazhimit te një histori kolektive e indiferencës

Çka ndodh me ata që e shohin shfaqjen? Çka ndodh me ata që nuk e shohin? Dhe çka ndodh me shumë të tjerë që e jetuan shfaqjen në kohë reale, atëherë kur nisi përnjëmend?

“Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” nuk është prodhimi më i mirë teatror e megjithatë është nder shfaqjet më të domosdoshme që janë bërë deri më tani, jo veç për një krim që ndodhi tash e 25 vite më herët, por për një dokumentim të një krimi që e jetojmë tash e 25 vite çdo ditë dhe do ta jetojmë edhe më. Përmes kësaj shfaqje mësohet një histori e dhimbshme vetanake e një tjetër e dhimbshme kolektive, si i tillë krimi ndaj individit u bë për një kauzë që donte të bëhej, krimi kolektiv ndodhi për një kauzë që s’u bë kurrë, për një revoltë që nuk u bë kurrë, për një shoqëri që nuk kundërshtoi asnjëherë dhe që nuk kundërshton as sot.

Shfaqja do të ishte krejt e përmbushur artistikisht nëse nuk do të luhej fare pjesa e fundit, kjo pjesë sikur e ngarkoi paksa dhe loja do të ishte krejt e përmbushur edhe pa të. Përkundrejt statistikave dhe jetës personale që u trajtuan në skenë, nëse do të duhej edhe një vështrim profesional mbi arkitekturën dhe urbanistiken, është çështje e diskutueshme, nuk e dimë si do të rrinte, meqë po flasim kryekëput për një prodhim teatror.

Pamjet e Prishtinës së dikurshme dhe asaj të sotmes, në ekranet e vendosura në skenë, na japin një ndjesi të dhimbjes, të një faji që peshon mbi ne, të një ëndrre që do të donim ta jetonim gjithmonë.

Shfaqja pati reprizën e parë menjëherë më 24 maj, të shtunën në ‘Oda’.

Regjia: Blerta Neziraj

Aktorë: Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj

Skenografia: Alice Vanini, Kostumet: Njomza Luci, Muzika: Tomor Kuçi, Koreografia: Gjergj Prevazi, Video: Besim Ugzmajli, Ass. Regjisor: Gëzim Hasani, Drejtore arti: Aurela Kadriu, Hulumtues dhe bashkëpunëtor artistik: Agron Demi dhe Instituti Atlas, Dramaturgjia: Jeton Neziraj, Dritat: Mursel Bekteshi, Mbeshtetje zhvillimore: Sven Skoric, Përkthyese: Alexandra Channer, Koordinimi: Flaka Rrustemi, Mbështetje teknike: Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Nikolas Pipero, Arbresha Caka, Njomza Rexha., Produksion i Qendrës Multimedia.

/Express