Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premierë shfaqja “Martesa”, me regji të Norbert Rakowski, luajtur nga aktorët: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj, Adhurim Demi
“Martesa” u publikua për herë të parë në gjuhën spanjolle në vitin 1948, gjatë kohës sa autori Witold Gombrowicz po qëndronte në Buenos Aires të Argjentinës. Më pas u publikua në gjuhen polake në vitin 1953, dhe u vendos në skenën e teatrit për herë të parë në vitin 1960. Gombrowicz, i cili filloi të marrë famë në qarqet letrare vetëm një vit para se të vdiste, njihej në krijimet e tij nga analiza e thellë psikologjike, një ndjenjë paradoksi dhe aromë absurde e antinacionaliste.
Para Martesës
Absurdi që e mbështjell shfaqjen që nga skena hapëse, nis çuditërisht me kujtimet e apartamentit të fëmijërisë së protagonistit Henri. Dhoma, hapësira, madje edhe kujtimet e njerëzit nuk ngjajnë me asnjë detaj të cilin Henri mban në mend nga fëmijëria. Absurditeti shkon e shtohet dhe kalohet në pikën kur nuk dihet nëse autori po flet për një ushtar të kthyer nga lufta që nuk po mundet të përshtatet me të tashmen, një ushtar i cili vetëm po përjeton një ëndërr të çuditshme, apo një ushtar që ka kaluar në një tjetër gjendje për shkak të traumave. Prandaj nëse autori i dramës njihet për rrymat antinacionaliste në krijimet e tij kjo na shpjegohet edhe në shfaqje. Ne nuk përballemi shumë më shkakun aq sa përballemi me pasojën. Henri është një ushtar i cili po përpëlitet në cilindo realitet të mundshëm, pasojat janë nga lufta, nga cila luftë pak rëndësi ka. Secila luftë shndërron gjendje njerëzish, secila luftë ka humbës njerëzit, secila luftë është përgjegjëse për shkatërrimin e gjendjes shpirtërore dhe psikike të njerëzve. Dilema më e madhe e shfaqjes është kush jemi në të vërtetë, ata që pretendojmë të jemi apo ata që ne jemi në të vërtetë, në gjendje lufte rëndom njerëzit tregojnë kush janë në të vërtetë dhe kjo vazhdon ne mes dilemash e pendimesh dhe megjithatë secili dëshmohet në fund. Henri i cili luan me kujtimet, imazhet e prindërve të tij, shokut të tij të fëmijërisë, të fejuarës dhe një pijaneci, deri në një pikë ruan arsyen, nëse deri në atë pikë funksionon ende arsyeja, nuk tradhton babanë, nuk braktis e as kërkon revansh nga e dashura (ani pse ka dyshime të vazhdueshme).
Në Martesë
Tjetërsimi është i pashmangshëm. Henri fillon të dyshojë edhe më shumë. Autori gjen kohen të shqyrtojë tematikën e intelektit, religjionit, ndarjes së klasave shoqërore, marrëzisë padyshim dhe martesës, si akt tradicional. Ateizmi i Henrit i cili ka qenë gjithmonë në të, duhet të zbutet kur thirret në rolin e djalit të denjë, edhe martesa me ceremoni, nuk është ideja e tij, është kërkesë e familjes dhe shoqërisë. Kjo ndër tjerash është një arsye më shumë pse kjo shfaqje zë vend shumë lehtë tek publiku ynë.
Personazhet e iluzioneve të Henrit, nëna dhe babai, kanë një dashuri të luhatur shpesh nga lufta për mbijetesë. Madje edhe ata kërkojnë rrugë dalje në forma tjera të cilat janë jo reale për Henrin, janë të çuditshme e shpesh herë të pashpjegueshme.
Xhelozia dhe integriteti i një burri të tradhtuar dy fish, na nxjerr në pah një tjetër anë të personazhit kryesor. Thashethemet se shoku i tij dhe e fejuara e tij, me të cilën pretendon të martohet, kanë krijuar një afër prapa shpinës së tij, dërgojnë egon e tij në vendime ekstreme. Miku i tij duhet ta kryej aktin e vetëvrasjes në ditën e martesës së Henrit, një martesë e cila nuk do të ndodhë asnjëherë. Pendimi është ndër ndjesitë e fundit të protagonistit shumëdimensional.
Pas Martese
Shfaqja titullohet “Martesa”, supozohet të ndodhë mes një çifti. Në dramë ne veç martesë dhe bashkim mes një çifti nuk shohim. Shohim një prift i cili insiston në besimin në Zot dhe një martesë është e denjë veç nen bekimin e tij në kishë, shohim një pijanec i cili rrëfen qartazi për aferën mes të fejuarës së Henrit dhe mikut të tij dhe dy prind të cilët e përkrahin këtë ide. Përpjekjet për ta ruajtur racionalitetin kanë përfunduar me ekzekutimin e prindërve dhe mikut të tij, ama në këtë pikë çështja është nëse ndjesitë e Henrit kanë ndryshuar janë zbehur a zhdukur apo përnjëmend ka marrë fund veç racio e tij.
Diskutimi, dialogu i fundit, krijon idenë se e gjithë shfaqja ka qenë një pjellë e imagjinatës së protagonistit por jo pa shkak. Në skenën mbyllëse është Henri i cili në një formë a tjetrën komunikon me nënën e tij nga dhoma e burgut. Në shenjë dorëzimi, në shenjë pranimi të gjendjes së tij dhe i vendosur mes pendimit e dashurisë, personazhi kryesor i shfaqjes mbyll hesapet e shpjegimeve të mëtejshme.
…
“Martesa” ngre me kast një seri tematikash që jo gjithmonë kanë qenë gati të diskutohen, prandaj është e rëndësishme të dihet cili është autori dhe për çka njihej në letërsinë e tij.
Shfaqja e sjellë në TKK, nga regjisori polak Norbert Rakowski, pati përmbushje teatrale më së shumti për shkak të tematikës dhe thellësisë së trajtimit të ngjarjeve. Siç citohet edhe në shfaqje “Askush nuk e thotë atë që dëshiron ta thotë, por atë që konsiderohet e duhur” – një parim universal. Ky perceptim e kjo tematikë që e mbajnë shfaqjen nuk mbyllen brenda kufijsh e shoqërive të caktuara, janë të kudondodhura për aq sa të jetë njerëzimi.
Armend Smajli në rolin e Henrit, bëri punën më të madhe e më të jashtëzakonshme, me një rol i cili kërkonte vëmendje e koncentrim të vazhdueshëm. Smajli mbajti ritmin dhe mbajti shfaqjen mbi supe.
Kasta tjetër e aktorëve portretizuan personazhe të cilat qarkullonin në skenë por që nuk ishin prezent gjithmonë, një pjesë prej të cilëve edhe po të zëvendësoheshin me aktorë tjerë do të ishte edhe më mirë. Në teatër ne shohim aktor që janë të destinuar për aty dhe publiku nuk fajësohet nëse një personazh të cilin nuk e sheh rëndom në teatër ta pranoj dhe ta shkëput si me thikë nga filmat e serialet vendore në të cilët e ka parë.
“Martesa” me meritat e regjisorit dhe pjesës tjetër që realizuan shfaqjen, është një realizim artistik që i duhej Teatrit Kombëtar dhe publikut tonë.
Shfaqja është përtej asaj që shohim, me dilema dhe pyetje të vazhdueshme. Nëse ne jemi të vërtetë nga ata që na rrethojnë, nëse ne edhe në prag të vdekjes heqim dorë nga ambiciet tona. Fillimi shpesh herë është fillim i çiltër e i pafajshëm dhe kjo për shkak të fëmijërisë.
Ama a rëndon ky fillim mbi atë që do të krijohet tek ne gjatë jetës? Më saktë a duhemi të kthehemi të gjithë nga ku kemi nisur?
Autor: Witold Gombrowicz
Adaptimi & regjia: Norbert Rakowski
Luajnë: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj, Adhurim Demi
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Asistent regjisor: Skender Podvorica
Kompozitor: Tomor Kuçi
Skenografe: Maria Jankowska
Kostumografe: Paula Grocholska,
Disejni i dritave: Bogumil Palewicz
Video artist: Wojciech Kapela
Udhëheqëse teknike: Rrezarta Basha
Asistente e kostumografes: Alba Bytyçi
Inspicient: Mursel Haziri
Ndriçues: Bujar Bekteshi
Toni: Arben Aliu
Fotografe: Mrinë Godanca
Dizajn grafik: Nita Qahili
/Gazeta Express