Në Teatrin ‘Dodona’ më 29 janar u dha premierë shfaqja “Lenorë: Emotional Exhibition” me dramaturgji dhe regji të Bashkim Ramadanit.
Hiti ‘Insomnia’ nga Faithless u krijua 25 vjet më herët; nën tingujt e tij u hap skena e parë e shfaqjes, e cila kërkonte ta paraqiste jetën e natës, diku, kudo, para viteve 2000.
Me narratorin (Armend Zeqiri) e kuptojmë që ngjarja po zhvillohet diku tek ne, ama ngjitur për vargjeve të J. Prévert, Ch. Bukowski, O.Wilde, N. Simon, G.G. Márquez, T. Williams, P. Neruda, R. Frost, K. Kavafis, N. Hikmet, W.H. Auden, A. Pushkin, S. Beckett.
Më së shumti dëgjojmë vargje të poezisë ‘Barbara’ nga J. Prevert.
“Lufta është idiotësi”
Në shfaqjen që vjen në një skenë të pangarkuar, me tre aktorë, ideja dhe koncepti i saj janë arma kryesore. Tragjedia që nis me ritëm, me çiltërsi, shpërqendrim, cigare dhe alkool mbaron me qirinj mbi arkivol.
Shkëputja e vazhdueshme ndërmjet akteve, zëvendësohet nga narratori i cili na paraqitet nëpër cepe të skenës. Çifti i ri, që takohen në një pijetore, rrëfejnë mënyrën e takimit, dashurinë, martesën dhe pritjen për t’u bërë prindër.
Derisa e gjithë ngjarja zhvillohet jo pa shkas në momentet e lumturisë idilike dëgjohen alarme, bomba, të shtëna dhe patjetër arratisjet e çiftit do të jenë të qëllimshme e të domosdoshme. Prezantimi i lojës përmes puthjeve, aktit seksual, zënkave dhe bisedave për krijimin e një familje, e cila dështon jo shumë pa filluar, dërgon publikun dhe dy aktorët Rifat Smani dhe Valmira Hoti në shkundje emocionale.
Skenat më të ndjeshme janë ato të ndarjes, të arratisjeve të luftës për ekzistencë dhe jetës larg njëri-tjetrit, afër rrezikut, luftës dhe idiotësisë.
Në vargjet e poezisë autori vazhdimisht kërkon Barbaran e cila nuk dihet ku është dhe më e rëndësishme nuk dihet ku është ai i cili e shtrëngonte në krah, në është gjallë a jo.

Veri, jug, lindje dhe perëndim
Pse, nga mesi e sidomos nga fundi, shfaqja të merr me vete, ka disa arsye, ama qenësorja mbetet tek loja dhe intensiteti i ngjarjes. Tash që lufta veçse ka filluar njerëzit janë ndarë nga njëri-tjetri, përtej kësaj çifti që veçse kanë marrë lajmin që do të bëhen prindër më nuk janë njësoj. Gruaja është larg, gruaja ka humbur sensin e gjithçkaje, ka mbetur e tronditur sepse është dhunuar në luftë. Nëse ke dyshime për emrat në shfaqje nëse ngjarja po ndodh në Kosovë ose jo, nëse ke dyshime për shkak të vargjeve të poezive të poeteve më të famshëm botërorë, nëse ngjarja po zhvillohet në Kosovë ose jo, nga fundi këto dyshime nuk i ke më, dyshimet kthehen në siguri. Dialogu mes gruas së llahtarisur dhe burrit që më në fund takon Lenorën e tij, na siguron që ngjarja nuk është e huaj për veshët tanë. Paragjykimet të cilat përmenden, frika e gjykimit nga shoqëria dhe ndrojtja së ata nuk do të jenë më kurrë si më parë, na thotë që me pasojat e këtyre historive jemi familjarizuar pas luftës së fundit në Kosovë, dhe kjo fatkeqësisht.
Skena e vajtimit të gruas së tij të re mbi arkivol, nën interpretimin e poezisë së W. Auden ‘Funeral Blues’, i jep shtysën e fundit shfaqjes për ta ngulitur emocionin dhe ketë emocion publiku ta marrë me vete.
«E kisha veri, jug, lindje e perëndim/ Javën time t’punës të dielën time pushim».
Janë dy vargje nga poezia të cilat interpretohen mbi trupin e Lenorës që nga shumë fustane të bukura që mban nga fillimi i shfaqjes, ka përfunduar mbështjellë me një fustan të bardhë të gjakosur.

Gruaja, elementi tragjik i luftës
Një shfaqje e tillë, nëse na lejohet të themi minimaliste – për shkak të skenës e cila operon me shumë pak objekte dhe aktorëve që janë të pakt në numër, dhe mbi të gjitha ndërthuret mbi poezitë që kanë lënë shenja të mëdha në letërsinë botërore – është gjithmonë e mirëseardhur.
Tematika që prek gratë e dhunuara nga lufta e fundit në Kosovë, është një tematikë që nuk e shohim shpesh. Ani pse kërkon një trajtim delikat dhe trupës i duhet një angazhim më i përkushtuar në raste të tilla, megjithatë janë më së të nevojshme.
Pervert, Marquez, Pushkin, W. H Auden e shumë të tjerë, i dhanë emocion dhe dërguan ngjarjet e luftës, arratisjeve, ndarjeve e dashurive në një tjetër dimension, e pasuruan zhanrin poetik me vargje kult të cilat i qëndrojnë kohës dhe nuk ripërsëritën, sepse u krijuan në rrethana të veçanta, për njerëz të veçantë.
Kur në fund interpretohen vargje të ‘Funeral Blues’ ani pse Rifat Smani, ka kaluar tashme nëpër shumë shkundje emocionale, nuk arrin ta dërgojë këtë interpretim në nivelin më të lartë. Një ide tjetër do të ishte që poezia të interpretohet në sfond nga narratori, i cili natyrshëm nga fillimi ruan elementet e duhura për interpretim, nisur nga gjuha dhe intonacioni.
“Lenorë: Emotional Exhibition”, ngjit teatrin, poezinë dhe lojën artistike për njëra tjetrës duke na kujtuar që arti ushqehet mes vete, forcohet mes vete dhe nëse trajtohet denjësisht mbërrin të krijojë mbi zhanre të ndryshme një rezultat të veçantë që i mbijeton kohës.
Lufta e gruas në këtë shfaqje është një luftë që bëhet me veten, me tjetrin dhe me të tjerët, lufta e saj është arsyeja pse shfaqja mban elementin tragjik. Vargjet poetike i mbështjellin kësaj gruaje fustanet më të bukura, me të drejtë. Vargjet e ‘Barbares’ janë vargjet e shumë grave tjera, edhe të saj.
Padyshim Bashkim Ramadani, vazhdon të mbetet ndër regjisorët që krijon shfaqje të veçanta në skenën e teatrit tonë.

Dramatizimi dhe Regjia: Bashkim Ramadani
Luajnë: Valmira Hoti, Rifat Smani, Armend Zeqiri
Skenografia: Burim Arifi
Kostumografia: Blendina Xhema
Dizajni i dritave: Skender Latifi
lustrimi dhe dizajni: Dardan Luta
Fotografitë: Sovran Nrecaj
Video: Genc Berisha
Teknikë të skenës: Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi
Producent: Bashkim Ramadani
/Gazeta Express
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...