Nën drejtimin e regjisoreve feministe, Maja Mitić dhe Zana Hoxha kasti i aktoreve/ëve nga Kosova dhe Serbia kanë realizuar prova fizike në Prishtinë, online, dhe së fundmi fizikisht në Prizren, para prezantimit të shfaqjes ‘Gratë e Trojës’ në Kino Lumbardhi e cila u shfaq më 15 prill, 2024.
Përkundër barrierave të mundshme gjuhësore dhe modifikimit të provave, herë fizikisht dhe herë online, ndërtimi i shfaqjes “Gratë e Trojës” ka qenë një udhëtim frymëzues për artistet/ët pjesëmarrës.
Nga provat intensive deri te interpretimet kreative të aktorëve/eve, shkrirja e tekstit të përjetshëm të Euripidit me prekjen moderne të Shpëtim Selmanit, shtoi thellësi dhe emocion te “Gratë e Trojës”. Dy-gjuhësia, e herë-herë tre-gjuhësia, gjatë provave të krijimit të shfaqjes, ia shtoi vlerën unike këtij procesi. Skena e kinemasë Lumbardhi, me gjithë historinë dhe trashëgiminë kulturore që e bartë me vete, dha një ambient adekuat për bashkëpunim të ngushtë dhe kreativ me koreografin Robert Nuha dhe kompozitorin Liburn Jupolli, të cilët i dhanë performancës origjinalitet, dukë vënë në pah dhimbjen e mbijetueseve të luftës së Trojës, duke e adaptuar edhe me rrëfimet nga ditët e sotme.