Më 8 tetor, nga ora 20:00 në Qendrën Barabar, u dha premierë shfaqja “Sytë e Ujkut”, dramatizuar nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit
Pas një pritjeje të gjatë të shfaqjeve, veçmas premierave, publikut i erdhi mundësia të shohë shfaqjen që trajton temën e tri gjeneratave të grave përmes së cilave rrëfehet historia e dhunimeve (traumave) të luftës; fëmijëve të lindur nga këto dhunime.
(A) guxojmë të flasim
Tri personazhet (nga katër) e shfaqjes (gra) do të përballen me veten dhe mes vete në një gjuhë të tensionuar, të mbytur, shumë dëshpëruese për të qenë e zakonshme. E përtej krejt kësaj, ajo që i lidh personazhet, thënë më mirë, që tenton t’i lidhë në një raport që për vite nuk ka qenë i lidhur siç duhet, është skena (dhoma) në të cilën luhet shfaqja. Vendosja e tenteneve të varura për t’u tharë ndërron forma deri në fund, mënyra së si ato vendosen në tel, ndryshon me ndryshimin e ngjarjeve, deri në fund kur hapet e gjithë dhoma dhe shihet qartazi në të.
Metaforat e shfaqjes janë disa. E skenat më të fuqishme janë ato të hapjes së llogarive. Skenat e Lumes (Edona Reshitaj) dhe Gjyshes (Irena Aliu) –
kur i drejtohen tjetrit duke iu drejtuar vetes, duke i kujtuar njëra-tjetrës aktin e krimit, zhvillimin e ngjarjes – janë skena të fuqishme, por të rralla. Ato janë sporadike, mbase sepse vetë kujtimet e këqija duhet të trajtohen ashtu, na kanë mësuar t’i trajtojmë si të tilla, të largëta, harresën ta kenë domosdoshmëri dhe mosdiskutimin përforcim, e ne pastaj e mësojmë shumë mirë, aktorët në skenë e bëjnë mirë.
Lindja e Dilës (Albina Krasniqi) ka ndodhur si pasojë e dhunimit. Nëna e saj dhe Dila nuk kanë raport të shendosh, nuk komunikojnë, nuk mund të duhen, e kjo për shkak të traumave të nënës së saj, e cila nuk ka harruar. Megjithatë ajo kujdeset dhe kur e bën, zakonisht e bën më shumë se ç’duhet. Sytë e Dilës dhe të babait (dhunuesit) janë njëlloj, sy që rendin në kërkim të presë, por nuk zgjedhin turmën, veçse turma u pëlqen.
Tri personazhet gra flasin. Mund të kenë folur më shumë, por kujtimet e këqija nuk duhet folur shpesh. Prandaj personazhet gra, do të bëjnë jetë të zakonshme, por, të mos harrojmë, shumë dëshpëruese për të qenë e zakonshme.
Në lexim, jo në akte
Fëmijët, produkt i dhunës seksuale, në Kosovë nuk njihen nga ligji. Nuk ka shifra të sakta, nuk ka hulumtime të sakta, nuk dihen të dhëna të sakta. Realizimi i një shfaqje të tillë është i guximshëm dhe e nevojshëm. Fëmijët e lindur nga dhunimet, për të cilët nuk dihet saktësisht sa janë, i takojnë një kategorie të cilët madje edhe janë të padukshëm, të paverejtëshëm. Ne nuk i njohim, mbase as ata nuk e njohin veten.
Në tekste të shfaqjeve të tilla, kujdesi për të qenë edhe rrëfyes edhe etik di të jetë i mundimshëm, megjithatë jo i parealizueshëm. Përmes personazhit të Lumes, ne shohim një grua që ani pse e mbijetuar duhet të qëndrojë e fortë, një pjesë e saj nuk rikuperohet, nuk ngjallet, dhe më e rëndësishmja nuk ajo nuk gëzohet. Akti i dhunës ndaj saj kalon së qeni dëm individual, me kohen ngjitet pendesave të të tjerëve dhe “fajit” të produktit të pafajshëm.
Personazhi i gjyshes, është ai i neutralitetit, i dëshirës për harresë, nganjëherë i pendesës dhe më raste i dhimbjes e heshtjes.
Dila është çiltërsia që nuk kërkohet. Hareja e gjysmuar dhe pikëpyetja më e mundimshme e idetntitetit të saj sahere që ajo kalon kufijtë e ‘rendomësisë’ së familjes.
Përtej kësaj, dhunuesi (Armend Smajli) në shfaqje, ftohet 3-4 minuta. Atë e kthen viktima e dhunës me a pa hir. Personazhi i tij, nuk përballohet kollaj prandaj është i ftuar me zor. E megjithatë ai është aty, ka qenë aty.
Çka më shumë
Ani pse skenës teatrore në Kosovë i mungojnë shfaqje autentike, në lidhje me luftën dhe pasojat e saj, e përgjithësisht me tematikat e ngjashme, kujdesi që këto prodhime të jenë të përmbushura edhe artistikisht, pos si dokumentime, është detyrë.
Problemi kryesor i shfaqjes është vendi i ngjarjes. Një kasolle e largët në një mal të largët, me tri gra të mbyllura thuajse hermetikisht brenda saj, është paksa larg reales së ngjarjeve në Kosovë. Kur ndërhyjmë në këtë mënyrë po flasim gjithmonë duke iu referuar një ngjarjeje që ka ndodhur në vendin tonë. Personazhet dhe ngjarja janë paksa më përrallore se sa reale, nganjëherë. Siç u tha tashmë, fëmijët që kanë lindur nga dhunimet gjatë luftës në Kosovë, nuk e dimë saktësisht ku janë dhe sa, e megjithatë ata jetojnë me të gjithë ne, mes të gjithë neve.
Një mospajtim i nënës me fëmijën e saj pas kaq vitesh është paksa i çuditshëm. Nëse nena dhe fëmija i mbijetojnë gjithë kohës stigmatizimit, paragjykimeve dhe arrijnë armëpushim me të kaluarën (sidomos nëna) atëherë ‘paqja’ mes tyre arrihet pa hyrë fëmija në adoleshencë, edhe pse kjo nuk është e vërtetë absolute.
Kuptohet mosprania e dhunuesit në skenë dhe pjesëmarrja e tij e pakët, ama jo, konfrontimi më të, se ç’kërkohet nga vetë rrjedha e ngjarjes një konfrontim më i fuqishëm, e jo pa shkas. Shfaqja më shumë se një orë vazhdon me hyrje-daljet e tri personazheve gra, me dialogët e tyre, ne mësojmë për të zakonshmen e pazakonshme të jetës së tyre mjaftueshëm, dhe në fund hyrja e “personazhit negativ” sikur na lë të zhgënjyer nga pritja.
Shfaqja është për rrëfimin e ndodhisë dhe jetën pas saj, ne shohim pak rrëfim e shumë përshkrim të jetës pas saj. Shpjegimi i ngjarjes, burimit të saj (mbase qëllimshëm) rrëshqet lehtë, pa u vërejtur e është pak prezent.
Në një familje (të tillë) si tek “Sytë e Ujkut”, në vendin tonë, pas luftës e edhe sot, në vendet rurale, nuk flitet një gjuhë e tillë, gjuha është krejt e rëndomtë, mbase nganjëherë edhe vulgare.
…
“Sytë e Ujkut” është shfaqje e guximshme. Një tematikë e tillë ani pse e vonuar për t’u trajtuar i nevojitet kalendarëve të teatrove tona. Te gjitha personazhet e shfaqjes dhe vetë krijuesit e saj, me tematiken që e vë në skenë e krijojnë një lloj qëndrese ndaj dokumentimit të ngjarjeve që kanë përcaktuar fate të shumë njerëzve ne vendin tonë, e vazhdojnë të përcaktojnë edhe sot.
Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe përtej kësaj fëmijët e lindur nga këto dhunime, e përbejnë një pjesë historie e cila është më e rëndësishmja dhe më e heshtura njëkohësisht. “Dila” e shfaqjes është përgjegjësia individuale dhe ndërgjegjja kolektive. Ajo pushon së qeni personazh i shfaqjes, kur pas saj dikush kërkon për, fatet e njëjta të fëmijëve e grave tjera, me fatin e njëjtë. Arkivat e këtyre ngjarjeve dinë të jenë të cunguara, ama rëndësia e tyre jo.
“Sytë e Ujkut” kalon teatrin e zakonshëm dhe bëhet drama jonë e vërtetë. Drama jonë e dikurshme, kujtesa e atëhershme dhe heshtja e sotme.
Aktorët: Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli dhe Albina Krasniqi.
Regjia: Kushtrim Koliqi
Dramaturge: Doruntina Basha
Shfaqja i ka reprizat më 9, 10 dhe 11 tetor, në Qendrën Barabar në Prishtinë, nga ora 20:00.
/Gazeta Express