Në këtë 11 shtator që shënon 24 vjet nga vrasja e arkitektit Rexhep Luci, MB Office shfaqë filmin e metrazhit të gjatë dokumentar “Rexhep – Çka e vrau arkitektin.”
Filmi do të shfaqet më 11 shtator nga ora 19:00 në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë.
Kjo shfaqje është e përkrahur nga Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës.
Sinopsis:
“Rexhep. Çka e vrau arkitektin”. është dokumentar i metrazhit të gjatë për Rexhep Lucin, arkitektin dhe urbanistin e ndjerë nga Prishtina. Menjëherë pas luftës së vitit 1999, Rexhepi u bë drejtor i urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe ishte i vendosur të parandalonte ndërtimet ilegale që kishin filluar nëpër qytet. Në mbrëmjen e 11 shtatorit të vitit 2000, ai u vra në hyrje të banesës ku banonte.
Dokumentari përshkon rrugëtimin e tij personal dhe profesional me qytetin. Ai lidhet afërsisht me historinë e Kosovës – prej kohës së ish-Jugosllavisë kur Rexhepi udhëhoqi përfundimin e planit vizionar Plani Gjeneral Urban për Prishtinën, deri pas lufte, tek plani i tij Vizioni për Prishtinën. Përmes intervistave me familjarë dhe kolegë të afërt, dokumentari shtjellon çka e ndalë një arkitekt.