“Bëje ose vdis” nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Rrustemi- Neziraj do të luhet premierë në teatrin e qytetit në Gjakovë, më 14 dhjetor nga ora 19:00.
Rreth shfaqjes:
“Bëje ose vdis” është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur.
Ukshin Hoti sot është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politik shqiptar, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe. Por ai është poashtu edhe ëmblemë që reprezenton përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetëra mijëra grave e burrave aktivist të ilegales shqiptare në Kosovë. Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh ka paguar në burgje, me krejt dritë-hijet, është bazamenti i republikës së Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptar.
Repriza e parë luhet, menjëherë të nesërmen më 15 dhjetor.