Shërbimi i detyrueshëm ushtarak rikthen frikën në Luginë – Kamberi kërkon hetim për vdekjen e 135 ushtarëve shqiptarë gjatë viteve 1980 - Gazeta Express
string(133) "sherbimi-i-detyrueshem-ushtarak-rikthen-friken-ne-lugine-kamberi-kerkon-hetim-per-vdekjen-e-135-ushtareve-shqiptare-gjate-viteve-1980"

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 9:08

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak rikthen frikën në Luginë – Kamberi kërkon hetim për vdekjen e 135 ushtarëve shqiptarë gjatë viteve 1980

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 9:08

Deputeti nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësimin për përgatitjet që po bëhen në Serbi lidhur me rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Sipas tij, kjo iniciativë po ngjall frikë te shqiptarët e Luginës për shkak të traumave historike të lidhura me diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë gjatë shërbimit ushtarak në të kaluarën.

Përmes një reagimi në Facebook, Kamberi ka bërë të ditur se ka dorëzuar një propozim zyrtar për krijimin e një Komisioni të posaçëm hetimor, i cili do të merrej me zbardhjen e rasteve të vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë që shërbenin në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve 1980.

“Shumë nga këto raste janë regjistruar si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, mirëpo familjet e viktimave kanë ngritur dyshime serioze, duke raportuar për shenja dhune në trupat e të ndjerëve”, theksoi Kamberi.

Sipas tij, mungesa e hetimeve të pavarura dhe mungesa e transparencës institucionale kanë forcuar bindjen se bëhet fjalë për vrasje me sfond etnik dhe politik, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me përjashtim, armiqësi dhe racizëm të hapur.

Kamberi shtoi se kjo çështje ka mbetur e pandriçuar në opinionin publik serb dhe reflekton një dështim të institucioneve për t’u përballur me të kaluarën dhe me diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve.

“Në këtë kontekst, kam paraqitur propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, që do të përfshijë jo vetëm deputetë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit shqiptar, për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës”, theksoi ai.

Sipas Kamberit, vetëm përmes zbardhjes së së vërtetës dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë dhe më e drejtë për të gjithë qytetarët.