string(133) "sherbimi-gjerman-i-sigurise-rusia-po-rekruton-agjente-do-te-perdoren-per-sabotim-perhapje-te-dezinformatave-e-mbledhje-informacionesh"

Lajme

Gazeta Express

21/05/2025 13:21

Shërbimi Gjerman i Sigurisë: Rusia po rekruton agjentë – do të përdoren për sabotim, përhapje të dezinformatave e mbledhje informacionesh

Lajme

Gazeta Express

21/05/2025 13:21

Shërbimi Gjerman i Sigurisë së Brendshme paralajmëron për rritjen e aktivitetit të agjentëve të rekrutuar nga Rusia për misione të izoluara në territorin gjerman. Këta agjentë, të quajtur “për përdorim të vetëm”, rekrutohen kryesisht përmes aplikacioneve si Telegram dhe shpesh janë civilë me qëndrime proruse.

Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani (Zyra Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues) ka ngritur alarmin për një metodë të re të përdorur nga shërbimet sekrete ruse: rekrutimin e ashtuquajturve “agjentë për përdorim të vetëm”.

Këta individë nuk janë pjesë zyrtare e shërbimeve sekrete, por përdoren për aksione të veçanta si sabotim, përhapje të dezinformatave apo mbledhje informacioni.

Zëvendëspresidenti i BfV, Sinan Selen, në një deklaratë për agjencinë gjermane të lajmeve dpa, ka bërë të ditur se prej vitesh është vënë re një rritje e ndjeshme e aktivitetit të shërbimeve sekrete ruse në Gjermani dhe Evropë.

 “Përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si Telegram, individë rekrutohen për të kryer detyra që shpesh duken të padëmshme në pamje të parë, por që kanë objektiva të qarta sabotimi ose spiunazhi,” deklaroi Selen.

Sipas tij, shumë prej të rekrutuarve janë persona që më parë janë shprehur hapur me qëndrime proruse, dhe shpërblehen me shuma të vogla parash për detyrat që marrin përsipër.

Kjo strategji e Rusisë është intensifikuar pas dëbimit të qindra agjentëve të fshehur rusë nga pozitat e tyre diplomatike në Evropë, si pasojë e luftës në Ukrainë. Duke përdorur civilë të paidentifikueshëm si “agjentë për përdorim të vetëm”, Moska synon të fshehë gjurmët e urdhëruesve të vërtetë dhe të shmangë përballjen me masat e kundërzbulimit perëndimor.

Vetëm pak ditë më parë, në Gjermani dhe Zvicër janë arrestuar tre shtetas ukrainas nën dyshimin për spiunazh dhe plane sabotimi ndaj infrastrukturës së transportit të mallrave. Sipas Prokurorisë Federale, ata dyshohen se kanë vepruar për llogari të shërbimeve sekrete ruse.

BfV paralajmëron se kërcënimi nga aktivitetet ruse mbetet i lartë dhe afatgjatë, pavarësisht se si do të zhvillohet më tej lufta në Ukrainë. /DW