“Shërbëtori i Popullit” shqiptar - Gazeta Express
string(30) "sherbetori-i-popullit-shqiptar"

“Shërbëtori i Popullit” shqiptar

Ballina

Ermal Mulosmani

07/04/2022 17:12

Sot Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, doli përpara gazetarëve të shpallte rezultatet e Këshillimit Kombëtar për disa pyetje që vërtiteshin të paqarta në kokën e tij. Përgjigjet e atij pyetësori i kushtuan shtetit më shumë se 200 mijë Euro referuar dokumentave.

Zelli i Kryeministrit për të dëgjuar “vullnetin popullor” dhe, sidomos propagandimi i këtij vullneti, përmes çdo forme të mundshme komunikimi, ka lënë mjaft dyshime për vërtetësinë e tij.

Lexo Edhe:

Platforma e bashkëqeverisjes ishte “mëma” e këshillimit kombëtar. Aty çdo shqiptar mund të shkruante hallin e tij dhe, fap, si me magji, ai zgjidhej. Ishin evituar të gjitha hallkat e ndërmjetme, shefa, drejtorë, ministra, agjensi ligjzbatuese, gjykata…Kryeministri ynë ishte kryekoordinatori i zgjidhjes së halleve të njerëzve, nga Vermoshi në Konispol. Ngado shpërthente mirënjohja popullore, publikoheshin falenderimet mallëngjyese ndaj Platformës.

Një Drejtor që nuk kishte zgjidhur aksh problem të x hallexhiu shkarkohej publikisht në Televizion. Pavarësisht se më vonë mund të bëhej deputet. Ose merrte 2 vjet rrogë dhe rikthim në detyrë nga Gjykata. Kjo ishte tjetër çështje. Puna ishte te efekti momental i propagandës. Kush ta hajë le ta hajë.

Kjo psikozë e Kryetarit të gjithpërfshirë në mënyrë kapilare ishte një ndër mjetet e propagandës jokrijuese të Edi Ramës. Shqiptarët që kanë jetuar në diktaturë e kanë të qartë abuzimin dhe fiktivitetin thagmës komuniste “Në emër të Popullit”…

Se sa e çmon Rama mendimin popullor e ka vërtetuar me qindra herë, në takime me qeveritarë, gazetarë, intelektualë, figura të njohura publike, qytetarë të thjeshtë apo katundarë fatkeqë që halli  i çon në mexhlisin e qokave të dorëzimit të çelësave të shtëpive apo të tapive të Lames.

E kemi parë sesi i thotë gruas në sy të të shoqit “Demin do ta sjellim për lopën, jo për ty, ndaj mos u gëzo”; e kemi parë sesi  përtall zëvendëskryeministrin, kryebashkiakun, shitësit e tregut apo komentuesit e FB; katundarin hallexhi për veshjen apo mustaqet; rininë pse luan në lloto apo sesi i bërtet edhe qenit që leh vend e pavend… Të gjithë e dimë sesa e respekton Kryeminsitri ynë përtallës popullin e vet.

Ai është vetvetja pikërisht si përtallës, përbuzës, dhunues verbal; si mospërfillës e përçmues i mendimit popullor. Sapo një intelektual si Lubonja jep mendimin e tij për fjala vjen ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Tiranës, Kryeministri e shpall “urbanist popullor”! Etiketimi “popullor për Ramën është bash fundi i konsideratës së tij për një mendim apo qëndrim.

Mirëpo, Edi Rama është ai që mund të përçmojë tre milionë njerëz, secilin veç e veç, por e shpall veten apostull të gjithëve bashkë! Sapo “shpallja e dashurisë” për ta mund ta çojë në realizimin e  obkjektivit të tij. Pa kurrfarë paturpësie.

Këtu kalojmë në talljen kolektive.

Konkretisht sot doli në konferencë shtypi të shpallte vendimin “plebishitar” të “këshillueve të tij popullorë”.

Populli kishte dhënë verdiktin. Asksuh nuk duhet të pipëtinte. Mirë gazetarët, opozita apo kritikët e tij por as ndërkombëtarët!

Edi Rama kishte vendosur të pyeste popullin për 12 çështje kardinale për të cilat ai kishte dilema të mëdha. Të tjerat pyetje i kishte më të qarta por kur vinte puna për këto, aha, aty bllokohej.

Duke e ndjekur me vëmendje atë konferencë, ishte e lehtë të konstatoje se:

Nuk kishte asnjë tregues që  shifrat e “vullnetit” popullor të ishin të besueshme. Kryeminstri u ka dërguar “popullit” një formular, Kryeministri i ka numëruar fletët e votimit dhe në fund Kryeministri i ka numëruar edhe përgjigjet e tyre. Kur them Kryeministri kam parasysh institucione në varësi të tij. Kjo metodë është shumë e pranueshme për sa kohë bëhet si konsultim privat i Kryeminsitrit, për dilemat e tij.

Le të themi një sondazh i zgjeruar.

Por, në momentin që propaganda vendos të bëjë publike  rezultatin, duhet së pari të tregojë se sa të besueshme janë rezultatet e tij. Dhe kjo është krejt tjetër gjë nga gabimet teknike apo lapsuset për të cilat pyeti një gazetare. Këtu bëhet fjalë për besueshmërinë e numëruesit si vullnet për të thënë të vërtetën.

Çdo diskutim i mëtejshmëm, që merr si të vërtetë besueshmërinë e këshillimit, bie poshtë. Kryeministri fliste për rezultate masive, në favor apo kundra bindjeve të tij, por nuk foli fare pse njerëzit nuk duhet të vënë në dyshim vërtetësinë e këshillimit. Pati një moment që, për ti dhënë doza vërtetësie deklaroi: “Unë vetë, në përgjigje të ndonjë pyetjeje do të kisha dhënë përgjigje të ndryshme nga këshilluesi popullor”. Por nuk tregoi se për cilën pyetje. Sepse nuk kishte asnjë të tillë në fakt.

Kishte vetëm një lapsus frojdian në ligjërimin e Kryeminstrit sot. Ai në një moment deklaroi: “Partnerët ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë që ky është vullneti i qytetarëve”.

Ky në fakt ishte thelbi i këtij gjasme këshillimi. Në momentin kur institucione ndërkombëtare do t’i kërkonin llogari. Kryeministri do të nxirrte përpara “vullnetin popullor”!

“Populli do të prodhojë kanabis farmaceutik”! Me çdo kusht.  E kush do ta besonte që të njëjtit “këshillues popullorë”  që kërkuan masivisht të mbrojnë financiarisht nënat me shumë fëmijë; pensionistët nga pagesat e tepërta; që kërkuan gjoba për ndotësit e ambientit; dënime të rrepta për kriminelët përsëritës, për evazorët fiskalë, apo gjyqatrët abuzues, befas, të shfaqin një dashuri të madhe për përpunimin e kanabisit farmaceutik dhe legalizimin e parave të drogës?

Kaq shumë u sensibilizuan ata për dobishmërinë mjekësore të kanabisit?

Kryeministri në fakt kishte shpenzuar 200 mijë Euro për t’i dhënë ndërkombëtarëve kartën popullore, një kartë për të cilën në fakt ndjen neveri. Ai ka vite që synon të legalizojë prodhimin e kanabisit dhe i duhej një justifikim. Nëse ata e hanë komedinë bajate  të “Shërbëtorit të Popullit”, tregojnë se ia kanë kërkuar vetë atë.

Është kaq bajate.