Shënohen gjashtë muaj nga fillimi i demonstratave në Hong Kong - Gazeta Express
string(62) "shenohen-gjashte-muaj-nga-fillimi-i-demonstratave-ne-hong-kong"

Shënohen gjashtë muaj nga fillimi i demonstratave në Hong Kong

Gazeta Express

08/12/2019 23:45

Mijëra njerëz u mblodhën sot në rrugët e Hong Kongut, për t’iu bashkuar marshimit që shënoi gjashtë mujorin e demonstratave masive kundër propozimit të qeverisë që do të mundësonte dërgimin në Kinë për gjykim, të personave që dyshohen për krime. Tani që ky propozim është hedhur poshtë nga qeveria e qytetit gjysmë-autonom, protestat vazhdojnë me kërkesën për më shumë liri dhe të drejta.

Një grup i madh njerëzish u mblodhën në parkun Viktoria prej ku filloi marshimi deri në qendër të Hong Kongut.

Lexo Edhe:

Me thirrjet “luftë për liri” dhe “qëndro për Hong Kongun”, protestuesit krijuan një rresht të gjatë në zonën tregtare të qytetit.

“Në gjashtë muajt e fundit, kemi përjetuar abuzim dhe forcë policore. Qeveria e Hong Kongut nuk dha përgjigje, nuk e dëgjoi popullin, zërin tonë. Prandaj duhet të qëndrojnë të fortë dhe të luftojmë për liritë dhe të drejtat që duhet t’i kemi”, tha Nick, një protestues.

Policia e Hong Kongut miratoi lejen për demonstratën, gjë që rriti numrin e pjesëmarrësve.

“Po, kam shpresë për Hong Kongun. Shikoni njerëzit, ata nuk duan të dorëzohen. Besoj se duhet të kemi shpresë”, tha Chan, një protestues tjetër.

Tubimi u cilësua nga Fronti për të Drejtat Civile Njerëzore, si grupimi më i madh i organizuar që kur qindra mijëra protestues marshuan për herë të parë më 9 qershor.

Ndryshe nga atëherë, kur kërkohej anulimi i propozimit të projektligjit që mundësonte ekstradimin në Kinë të të dyshuarve për krime, sot demonstruesit kërkojnë zgjedhje demokratike dhe hetim për atë që protestuesit e quajnë përdorim të tepruar të forcës kundër tyre.