Specialistët e trurit paralajmërojnë se disa ndryshime të lehta në personalitet gjatë moshës së mesme mund të jenë ndër shenjat më të hershme të demencës, shpesh shumë vite përpara se të vihen re problemet me kujtesën.
Profesorja Gill Livingston, eksperte e psikiatrisë së të moshuarve në University College London, thotë se ndryshimet në sjellje, vetëbesim dhe reagime emocionale shpesh vërehen nga familjarët shumë kohë përpara vendosjes së diagnozës.
Një studim ku ajo ka marrë pjesë, që ndoqi mijëra nëpunës civilë në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se ndryshimet në tiparet e personalitetit gjatë moshës së mesme lidhen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës më vonë në jetë.
Kjo forcon bindjen se dëmtimet e fshehta në tru, në fazat e hershme të sëmundjes, mund të ndikojnë në mënyrën si njeriu mendon, ndien dhe reagon, shumë përpara se të shfaqen simptomat më të njohura.
Mjekët thonë se familjarët shpesh kujtojnë se shenjat e para nuk kanë qenë harresa, por ndryshime në temperament, si ankthi, impulsiviteti, tërheqja nga të tjerët apo ftohja emocionale.
Profesoresha Livingston dhe kolegët e saj kanë identifikuar disa ndryshime që ngjallin shqetësim, sidomos kur ato përfaqësojnë një largim të qartë nga sjellja e zakonshme dhe afatgjatë e një personi.
Këto shenja nuk përbëjnë provë përfundimtare të demencës, por kur shfaqen së bashku, mund të krijojnë një model që kërkon vlerësim më të kujdesshëm.
Njëkohësisht, ekspertët theksojnë se deri në 45 për qind e rasteve të demencës mendohet të lidhen me faktorë të stilit të jetesës, çka do të thotë se në disa raste sëmundja mund të parandalohet ose të ngadalësohet nëse kapet herët.
Ndryshimi i parë që bie në sy është humbja e vetëbesimit. Personat që në të 40-at dhe të 50-at raportonin se po humbnin besimin tek vetja kishin dukshëm më shumë gjasa të zhvillonin demencë më vonë. Ky rezultoi të ishte një nga treguesit më të fortë, madje më i rëndësishëm se gjendja e ulët shpirtërore, mungesa e shpresës apo problemet me gjumin.
Ata që përjetuan rënie të vetëbesimit kishin rreth 50 për qind më shumë rrezik, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si gjenetika, arsimi, sëmundjet e zemrës dhe mënyra e jetesës.
Një tjetër sinjal i rëndësishëm ishte vështirësia për t’u përballur me problemet e përditshme. Njerëzit që ndiheshin të paaftë për t’i menaxhuar sfidat në moshën e mesme kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë vite më vonë. Studiuesit mendojnë se kjo mund të lidhet me dobësimin e hershëm të asaj që quhet “rezervë njohëse”, pra aftësia mendore që na ndihmon të përballojmë stresin, të përshtatemi dhe të rikuperohemi nga vështirësitë.
Me rënien e kësaj rezerve, situatat që dikur përballoheshin lehtësisht mund të duken dërrmuese, shumë kohë përpara se të shfaqen harresa ose konfuzioni.
Studimi zbuloi gjithashtu se personat që në moshën e mesme raportonin se nuk ndienin ngrohtësi apo përzemërsi ndaj të tjerëve kishin një rrezik dukshëm më të lartë për demencë. Kjo mund të shfaqet si tërheqje emocionale ose ulje e ndjenjës së përgjegjshmërisë ndaj të tjerëve.
Një tjetër shenjë ishte nervozizmi i vazhdueshëm. Njerëzit që e përshkruanin veten si vazhdimisht të tensionuar dhe nervozë kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë në dekadat që pasonin. Sipas ekspertëve, stresi kronik mund të luajë rol të rëndësishëm, pasi lidhet me rritjen e inflamacionit në trup, gjë që dëmton edhe shëndetin e trurit.
Po ashtu, si sinjal i hershëm u shfaq edhe pakënaqësia e vazhdueshme me mënyrën si kryhen detyrat. Pjesëmarrësit që shpreheshin se gjërat nuk po bëheshin siç duhet kishin më shumë gjasa të përballeshin më vonë me demencën.
Ndërkohë, vështirësitë me përqendrimin ishin një tjetër element i rëndësishëm. Ata që raportuan probleme me fokusin në moshën e mesme kishin rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjes në të ardhmen.
Në përmbledhje, gjashtë ndryshimet kryesore që ekspertët veçojnë janë: humbja e vetëbesimit, vështirësia për t’u përballur me problemet, ftohja emocionale ndaj të tjerëve, nervozizmi i vazhdueshëm, pakënaqësia me mënyrën si bëhen detyrat dhe problemet me përqendrimin.
Specialistët theksojnë se konteksti ka shumë rëndësi. Ndryshimet në personalitet mund të shkaktohen edhe nga ngjarje jetësore, menopauza, problemet e shëndetit mendor apo stresi. Shenja më shqetësuese është kur vërehet një ndryshim i qartë nga mënyra e zakonshme e sjelljes së një personi, jo thjesht një tipar që ai e ka pasur gjithmonë.
Ekspertët shtojnë se mbajtja e lidhjeve shoqërore, ruajtja e rutinës, menaxhimi i stresit, aktiviteti fizik i rregullt dhe trajtimi i depresionit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut afatgjatë, edhe kur ndryshimet në tru mund të kenë nisur tashmë. /GazetaExpress/