Shënime nga karantina 9: Shqipja dhe jo anglishtja është gjuha e Kushtetutës! - Gazeta Express
string(23) "shenime-nga-karantina-9"

Shënime nga karantina 9: Shqipja dhe jo anglishtja është gjuha e Kushtetutës!

Gazeta Express

21/04/2020 14:49

Një interpretim gjuhësor dhe logjik i Nenit 82. 2., përkatësisht foljeve modale ‘mund’ dhe ‘duhet’ si dhe një këndvështrim politik i çështjës së diskrecionit të Presidentit Shkruan:

Shkruan:Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Për të dhënë një kontribut në zbërthimin e Nenit “famouse” 82.2 nuk pretendoj të marr tagër interpretimi të Kushtetutës dhe as të interpretimit juridik me kompetencë. Më intrigon vetëm aspekti i interpretimit të drejtë gjuhësor dhe logjik-gjuhësor por edhe politik. Neni 82.2 shprehimisht thotë: Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë; Në këtë përpjekje, duhet pasur parasyshë dy elemente qenësore pēr konstitucionin kosovar:

1. Aspekti gjuhēsor: Edhe vet analisti kushtetues Vigan Qorrolli e pranon se, versioni shqip i Kushtetutës është mbizotërues, ndonëse Kushtetuta jonë është hartuar në gjuhën angleze, pra versioni autoritativ është ai në gjuhën shqipe (dhe serbe.) Këto dy gjuhë janë “gjuhët kushtetuese” të Kosovës dhe me kënaqësi i sfidoj ekspertēt kushtetues, në përballje krahasimtare të shqipes me anglishten, përmes identifikimit të dallimit substancial ndërmjet foljeve modale gjysmëndihmëse ‘mund’ dhe ‘duhet’, në shqip dhe anglisht, mbështetur në logjikën e brendshme të gjuhës shqipe, pra thelbin e thelbit, palcën e saj të shpirtit.

2. Aspektin politik: Në kontekst të verdiktit 2014 në çështjen VLAN duhet bërë dallimin substancial mes koalicionit paszgjedhor pa u pas konstituue Kuvendi dhe ni koalicioni të mundshëm pas konstituimit të Kuvendit. Meqë mandatet e deputetëve janë legjitime (dhe meqë Presidenti nuk e ka përdor diskrecionin pēr shpërndarje të tij, pas mocionit të suksesëshëm të mosbesimit pēr Qeverinë) e meqë jemi Republikë kushtetuese parlamentare, (pra trupi elektoral voton për Kuvend e jo për Qeveri), atëherë ky Kuvend plotësisht legalisht mandaton ni Qeveri të re, me kusht që fituesi relativ i zgjedhjeve “abdikon” dhe me kusht që shumica e partive politike parliamentare nuk pajtohen për të shkuar në zgjedhje të parakohëshme (që është edhe detyrim i Presidentit, që të përdor mjete kushtetuese për të mos e çu vendin në zgjedhje të parakohshme) dhe natyrisht nëse kjo përbërje e Kuvendit mund të krijojë ni shumicë të re parlamentare.

Ky është interpretim ligjik dhe politik;

1. “Shpirti” i shqipës Sefte, të gjitha argumentet të çojnë në konstatimin se në gjuhën shqipe është e qartë si loti dallimi thelbësor i foljeve gjysmëndihmëse modale (mënyre) që zakonisht i prijnë lidhores (ose paskajores gegnishte) në funksione sinonimike me lidhoren e standardit ‘72. Në këtë rast të Nenit 82.2 këto dy foljev janë pa pjesëzat mohuese s’, nuk dhe mos. Shih sipas Fjalorit online të shqipes dhe FGJSSh: MUND I jokal. 1. Kam fuqi, zotësi, aftësi etj. për të bërë një punë a një veprim: jam në gjendje të kryej a të arrij diçka; e kam në dorë ta bëj diçka; jam i zoti a i aftë për diçka; mundem. (…) 3. kal. Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale, zakonisht në trajtën e vetës së tretë të numrit njëjës, për ta paraqitur si të mundshme a si të lejueshme atë që shpreh folja ose fjalia e mëpasme; (…) P.sh. -Mund të niset nesër a pasnesër. -Mund të ketë ardhur. -Mund të jetë kështu. Dhe: DUHEM vetv. (…) 3. kryes. veta III. Është i nevojshëm, nevojitet; kërkohet; 4. pavet.

Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara një foljeje në lidhore a përpara pjesores për ta paraqitur si të detyrueshme, si të nevojshme, si të domosdoshme atë që shpreh folja. -Duhet ta bëjmë patjetër. -Duhet të arrijmë sot. -Duhet të ngulim këmbë. (Në rastin e dhënë duhej të ishte: duhet të shpërndahet (Kuvendi, vërejtje HM) Folja modale ‘mund’ në shqip nuk “barazohet” në asnjë rast me ‘duhet’, Edhe kur zëvendësohet ose “barazohet” me ‘duhet’ përdoret vetëm si hamendësim por jo si nomos, jo si detyrim dhe kjo vlenë me kuptimin «ka shumë mundësi, ka shumë të ngjarë, pra adreson mundësi/probabilitet dhe nuk shpreh saktësim. P.sh. -Duhet të jetë shkruar para shumë kohësh. -Duhet të ketë qenë edhe ai. -Duhet ta ketë kuptuar.

Çka logjikisht do të thotë se është e mundëshme e dëshiruar, por jo e domosdoshme. (Në rastin tonë i bie: …ndoshta ose mbase edhe lejohet të shpērndahet (Kuvend, vërejtje: HM) por nuk ka një detyrim.) Nuk jam njohës profesional i anglishtës por termat “may” dhe “must” janë të dallueshëm, ndonëse anglishtja ka rregulla tjera të zëvendësimit dhe barazimit të foljeve modale ‘mund’ dhe ‘duhet’ dhe pas një ‘flash research’ aq sa lejojnë njohuritë e mia filologjike, gjithnjë në bazë tē logjikës dhe ligjësive të zëvendësimit dhe njejtēsimit të foljeve gjysëmndihmëse modale ‘may’ dhe ‘must” më rezulton se foljet modale të anglishtës janë për shembull may, can, must, should, need. Që dmth. mund, a mund, duhet dhe më duhet. Folja modale ‘may’ (mund) shpreh një aftësi, leje, dëshirë etj. për të bërë diçka: Folja modale ‘May’ (mund) zëvendësohet me “to be allowed to” (të lejohet të) psh. “I may swim=I am able to swim” (mund të notoj=jam në gjendje të notoj); që zëvëndësohet me “to have to” (të duhet të) si për shembull “I must swim=I have to swim (duhet të notoj =më duhet të notoj) që shmang hamendësimin që e ka shqipja. Psh: -Duhet të jetë shkruar para shumë kohësh.

-Duhet të ketë qenë edhe ai. -Duhet ta ketë kuptuar. Shembuj që po u përkthyen në anglisht nuk kanë vlerë të njejtë me ‘shall” dhe “must”. -It must have been written a long time ago. -It must have been him too. -He must have understood. Shumë folje modale të anglishtës nuk mund të përdoren në të gjitha kohët. Kjo është arsyeja pse ne duhet të dimë zëvendësuesit e këtyre foljeve modale. Sëkëndejmi, si shkrimtar, me njohuri solide nga logjika e shqipës, mendoj se ‘mund’ është folje modale që shpreh të dëshirueshmën (mësymjēn) kurse folja “duhet” përcakton mēnyrën e veprimit pa mëdyshje, pra merr përmasēn e urdhëresës, pa ekuivoke: një detyrim dhe domosdoshmēni.

Prandaj Neni 82.2 përket në diskrecion të plotë të Presidentit, i cili pas konsultimeve me subjektet politike dhe pas dhënies së mandatit edhe përsëdyti partisë fituese, si garant i funksionimit demokratik të institucioneve, vëndosë për rrugëzgjidhjën më të mirë opsionale, mandatimin e kandidatit të propozuar nga partia e dytë që i jep garancë se mund të krijojë një shumicë të re parlamentare. Përndryshe vendi është në telhyçe që të mos krijojë stabilitet institucional dhe qëndrueshmēni konstitucionale.

2. Trupi elektoral zgjedh Kuvendin dhe jo Kryeministrin Ashiqare, kur mbështetemi në aktin më të lartë politik-juridik të shtetit, Kushtetutën, ajo përfshinë pajtueshmëni ose unision vullnetesh politike (shumësi) dhe normë ose nomos (ipse iuris) si dhe frymë dhe germë. Në aspektin e pajtueshmënisë së vullneteve, folja modale ‘mund’ shpreh saktësisht diskrecion, (në rastin kosovar të Presidentit, si përfaqësues i unitetit të popullit) pra vullnet i diktuar nga rrethanorët politikë dhe nuk prek në ipse iuris-in.

Sepse norma juridike nuk e njeh psh. konstruktin: “H. Matoshi mund ta paguaj gjobën e deliktit në trafik, prej kaq e kaq euro”, por e njeh konstruktin gjuhësor: “HM ‘duhet’ ta paguaj gjobën, prej kaq e kaq euro, deri më këtë ditë! Derisa polititika operon kryesisht me vullnetin e subjektit/eve “mund” kurse Kushtetuta nuk është normë puro juridike por edhe pajtueshnëni e bashkësisë, pra vullnet dhe akt politik, edhe Gjykata Kushtetuese i merr për bazë rrethanorët politik të secilit rast pēr interpretim veç e veç, pritjet qytetare, sigurinë kombëtare, shmangien e konflikteve dhe krizave institucionale, kohezionin e një shoqërie politike dhe kohezionin e shtetit.

Në anën tjetër, Gjykatat e rregullta veprojnë vetëm brenda normës ipse iuris, pra brenda konstruktit ‘duhet’!? Duke qenë se Kosova është demokraci kushtetuese parlamentare dhe trupi elektoral i saj zgjedh Kuvendin e Kosovës, i cili tek pas konstituimit mandaton Qeverine dhe Presidentin, (Presidenti nuk zgjidhet drejtëpërdrejt nga populli) mund te jenë persona qe nuk kanë marrë pjesë fare në procesin zgjedhor (si shembull: Bajram Rexhepi në rrethana të Kornizës Kushtetuese dhe Atifete Jahjaga në rrethana kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte në fuqi) ngase Konstituimi i Kuvendit e kërkon decidivisht vetëm një predispozitë: Posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje, (e fiton të drejtën e propozimit) por jo edhe postet tjera në kierarkinë shtetërore (që mund të jenë rezultat i marrëveshjeve politike); Pra trupi elektoral zgjedh përfaqësuesit e tij në Kuvend, e jo Qeverinë as Presidentin.

3. Përfundimi Shpjegimi i dallimit në shtjellimin e foljeve modale ‘mund’ dhe ‘duhet’ në shqip dhe anglisht e qet posht argumentin e Profesor Qorrollit që mbështetet në “Rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno, (1995) në Gjykatës Supreme të ShBA-së. Ashiqare foljet modale në rastin e cituar nga Qorrolli ‘mund’ dhe ‘duhet’ në shpērshëndrrim shprehin narasvletë ose njehtësim, pra domosdoshmēni, kurse në shqip mund shpreh synim ose dëshirë, kurse ‘duhet’ shpreh detyrim, prandaj rasti krahasues është jovalid dhe i padobishëm. Dallim substancial e quaj unë. Qorrolli në një intervistë dhënë për KOHËN rikujton se për foljen “mund”, në versionin në gjuhën angleze të tekstit të Kushtetutë së Kosovës është përdorur folja “may”.

E, ai argumenton se në jurisprudencën krahasuese – sidomos nga Gjykata Supreme e SHBA-së, autoritet ky që e interpreton Kushtetutën amerikane – foljeve “duhet” dhe “mundet” u është dhënë vlerë e barabartë. Ai thotë: “Sipas kësaj del se normativisht foljet më të fuqishme për t’u përdorur, të cilat e imponojnë një detyrim për t’u zbatuar, si për shembull: “do të”, “duhet”, apo “mundet”, kanë fuqi të njëjtë juridike. Në rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno, (1995), Gjykata Supreme e SHBA-ve, gjykoi se folja modale ‘shall’ (shqip: ‘do të’, ‘duhet të’) është e barasvlershme me foljen tjetër modale ‘may’ (shqip: ‘mundet’)” Por Qorrolli pos që nuk ndalet fare tek logjika e brendshme e shqipës, e relativizon dhe shmang në këtë rast diskrecionin, ngase Presidenti nuk është i detyruar ta aplikojë jurisprudencën krahasuese, ngase siç u tha, shqipja e jo anglishtja është gjuhë kushtetuese, në rastin kosovar. Secili vend, gjuhë e komb i ka specifikat e veta në etno-psikologjinë gjuhësore, (sipas nocionit tradicional të shqiptarëve, kombi shqiptar është komb i gjuhës shqipe!?), veçoritë sociale e konstitucionale, prandaj nuk mund të ndihmojë krahasimi me “Rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno”, sepse anglishtja ka rregulla tjera për foljet modale dhe zëvendësimin e tyre.