Shënime nga Karantina (4) - Me jetë kundër vdekjes - Gazeta Express
string(46) "shenime-nga-karantina-4-me-jete-kunder-vdekjes"

Shënime nga Karantina (4) – Me jetë kundër vdekjes

Halil Matoshi

23/03/2020 20:47

Pra, njerëzit nëpër kohë, nuk kanë rreshtun me veprue për zgjatimin e njeriut përmes kohës së tij të dashtunisë, edhe nëse ishte luftë, kolerë ose murtajë…

Shkruan: Halil Matoshi

Lexo Edhe:

1.

Për subjektin që e do këtë vend fuqishëm, guximshëm dhe intensivisht koha nuk ka pushu. As lëvizja.

Atdheu duhet njësoj edhe kur ka festë edhe zi. Edhe kur je lartë edhe kur ke rënë. Sepse dashuria është konstantë, jo variabël.

E natyrisht nën shtetrrethim ajo dashuri merr përmasa epike, sepse e shquan guximi.

Guximi nuk lejon ta bësh këshilltare frikën që rëndom shpie në drejtim të keq, por, siç shkruan Jean-Mary Myller, ta sundosh atë, kjo është beteja e fituar e Erosit kundër Thanatosit.

2.

Ky vend i ka tregimet e veta dhe secil prej nesh poashtu, tregimet tona.

Më 23 mars 1981, ky vend ka qenë nën shtetrrethim, si më 23 mars 1989.

Dhe më 1999.

Të nesërmen më 24 mars, 1999 ka nisë një epokë tjetër. Fillimi i fundit të robërisë.

Dhe në të gjitha shtetrrethimet që unë i mbaj mend, pa u dorëzuar, njerëzit kanë marrë anën e jetës, kundër vdekjës.

Prandej, ni zâ i mrénshëm â kah m’thotë se kemi me ia hedhë edhe kësaj dergje…!?

3.

Baba jém, âsht martue në mars, diku më 1945 – kur hini partizani – e sqaronte nâna!?

Ishte shtet-rrethim (regjim ushtarak) dhe lëvizja e lirë ishte e ndalueme rreptë. Kjo vlente parasëgjithash për shqiptarët e Kosovës.

Baba Hazir tregonte:”U nisëm për Tygjec masi ra terri, me vëllaun Demirin dhe me Avdi Lecin, secili i armatosun dhe kishim më vete ni kali…”

Ata tretë e kishin marrë nuse, nânën téme, fshehtë, sepse pritat partizane me vra shqiptarë, ishin ngrehë kudo, kinse po luftonin kundër kryengritësve, ballistëve…

“Tre burrat e Gmicës, me Demirin tuj pri e dy tjerët manash, me pushkët për faqe, mas gjysës së natës, mbrrimë nëpër terr në shpi. Tretë ranë n’mal!?” – tregonte nâna.

Koha ishte që, në natë martese baba me ra n’mal.

Sot, e lexova ni tregim në The New York Times. Martesa në kohë mordje.

Mu kujtu nâna, pastaj baba. Shtetrrethimi dhe energeia aristoteliane që udhëheq intencën me mbajtë anën e jetës, kundër vdekjës!?

Pra, njerëzit nëpër kohë, nuk kanë rreshtë së vepruari për zgjatimin e njeriut përmes kohës së tij të dashurisë, edhe nëse ishte luftë, kolerë ose murtajë…

4.

“Të gjesh kohën për të festuar dashurinë gjatë një krize kombëtare nuk është e lehtë. Por një çift nga New York ende gjeti një mënyrë. Reilly Jennings dhe Amanda Wheeler lidhën martesë në një ceremoni të mbajtur në një rrugë të vogël në lagjen Manhattan të Washington Heights.

Matt Wilson, një mik dhe një zyrtar i licencuar i martesës, u përkul nga dritarja e katit të tij të katërt për të udhëhequr ceremoninë me siguri larg nga kushdo që mund të mbante koronavirus. “Ishte momenti më i New York-ut ndonjëherë dhe ishte edhe më e veçantë për tu ndarë me të gjithë lagjen në një kohë kaq të frikshme dhe të pasigurt,” i tha Jennings CNN. “Unë e dua këtë qytet”. (The New York Times)

5.

Edhe pse jemi në shtetrrethim, në ndejtje, konceptet tona për jetën, mendimi, të tjerët që kanë rëndësi në jetët tona, veprat e artit, filantropia (filozofia e dhënies, dhurimit) e mbi të gjitha, dashuria na bën me e ndje lëvizjën, me qenë aty ku duam të jemi.

Jeta është e bukur!

P. S.

Për të rinjtë që nuk e kanë pa, preferoj filmin “La vita e bella” të Roberto Benini-t, që flet për tmerrin pa e shfaqë atë! Që merr anën e jetës në momentin kur vdekja e jo jeta është shpëtimi.