Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se pas shkëputjes së një pjese masive nga një akullnajë në Alpet Zvicerane, një fshat i tërë malor është përmbytur në baltë e shkëmbinj.
Fshati Blatten ishte evakuuar që më herët për shkak të rrezikut të paraparë nga një rrëshqitje e mundshme, megjithatë është konfirmuar se një person rezulton i zhdukur.
Pamje me dron të transmetuara nga televizioni kombëtar zviceran SRF tregonin një fushë të tërë balte dheu që mbulonte plotësisht pjesën jugperëndimore të fshatit Blatten, përfshirë lumin që kalonte nëpër të dhe anët e pyllëzuara të luginës përreth.
Stephane Ganzer, një zyrtar i kantonit të Valais-it ku ndodhet Blatten-i, ka thënë për media zvicerane se rreth 90% e fshatit është mbuluar nga rrëshqitja e dheut.
Sipas zyrtarëve, Reuters raporton se miliona metra kub shkëmbinj dhe dhe kanë rënë që kur Blatten u evakuua këtë muaj, pasi një pjesë e malit pas akullnajës nisi të shembet, duke shkaktuar paralajmërime se edhe masa e akullit mund të rrëzohet plotësisht,
Video e shpërndarë në rrjetet sociale tregonte momentin dramatik kur akullnaja u shemb pjesërisht, duke krijuar një re të madhe pluhuri që mbuloi një pjesë të malit, ndërsa shkëmbinj dhe mbetje tjera zbrisnin me shpejtësi drejt fshatit.