Një ndërtesë trekatëshe buzë detit u shemb mëngjesin e sotëm në Radhimë përmes një shpërthimi të kontrolluar me tritol. Veprimi u ndërmor nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), pasi u konstatua se objekti ishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe pa leje ndërtimi.
Për të siguruar mbarëvajtjen e operacionit, autoritetet ndërprenë përkohësisht qarkullimin në aksin Vlorë–Orikum, si dhe furnizimin me energji elektrike në zonë.
Pamjet e shembjes u publikuan nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, i cili njëkohësisht përcolli një mesazh të fortë kundër paligjshmërisë urbane. Ai theksoi vendosmërinë e qeverisë për të çuar deri në fund betejën ndaj ndërtimeve pa leje, duke e cilësuar këtë përballje si një domosdoshmëri për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta dhe për të rivendosur rendin ligjor.
“Mirëmëngjes, dhe me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë,” shkroi Rama.