Kompania e njohur për prodhimin e kafesë, Prince Caffe, pjesë e Devolli Corporation, priti në fabrikën e saj një delegacion të nivelit të lartë nga kompania globale e derivateve Shell.
Vizita u zhvillua në ambientet e prodhimit, ku mysafirët u njoftuan nga afër me makinerinë moderne në fabrikë.
Përfaqësuesit e Shell u shprehën të mahnitur me teknologjinë dhe standardet e larta të punës në këtë fabrikë, të cilën e vizituan për herë të dytë.
Wim Riegman, përfaqësues i Shell, tha se përparimi brenda një periudhe të shkurtër është i dukshëm.
“Kthimi këtu ka qenë një përvojë shumë e mirë. Kam vërejtur zhvillim të madh nga vizita e parë dhe sidomos impianti i ri për pjekjen dhe paketimin e kafesë më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme. Ambientet janë jashtëzakonisht të pastra dhe kapaciteti i prodhimit është mbresëlënës,” u shpreh ai.
Riegman shtoi se Prince Caffe po e përfaqëson denjësisht vendin edhe në aspektin ekonomik.
“Proceset e prodhimit janë në nivel të lartë dhe përputhen me standardet ndërkombëtare. Kjo kompani është një shembull i mirë i potencialit ekonomik të Kosovës,” tha ai.
Gjatë vizitës, përfaqësues të Devolli Corporation diskutuan me delegacionin e Shell për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë dhe projektet që pritet të zhvillohen së bashku.

Dardan Shala, Drejtor në Devolli Corporation, tha se po punohet në zgjerimin e partneritetit.
“Biseduam për bashkëpunimin që kemi zhvilluar ndër vite dhe për mundësitë e reja që janë krijuar pas ndryshimeve të pronësisë. Tema e takimit ishte edhe furnizimi me kafe për tregjet ku operon Shell dhe nisma të përbashkëta për zhvillimin e produkteve të reja,” theksoi ai.
Shala paralajmëroi se në fundvit Prince Caffe do të zgjerojë gamën e saj me produkte të reja.
“Jemi duke finalizuar produktet 3në1 dhe 2në1, të cilat po kërkohen gjithnjë e më shumë sidomos nga të rinjtë,” tha ai.

Prince Caffe mbetet një nga brendet më të fuqishme në tregun vendor dhe ndërkombëtar, me një portofol të gjerë produktesh që tashmë gëzojnë besimin e konsumatorëve!
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...