string(83) "shefi-i-pentagonit-thote-se-kina-po-pergatitet-qe-te-perdore-force-ushtarake-ne-azi"

Lajme

Gazeta Express

31/05/2025 10:11

Shefi i Pentagonit thotë se Kina po “përgatitet” që të përdorë forcë ushtarake në Azi

Lajme

Gazeta Express

31/05/2025 10:11

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi më 31 maj se Kina “po përgatitet në mënyrë të besueshme” që të përdorë forcë ushtarake për të përmbysur balancën e fuqisë në Azi, teksa u zotua se Shtetet e Bashkuara “janë këtu që të qëndrojnë” në rajonin e Indo-Paqësorit.

Shefi i Pentagonit i bëri këto deklarata në forumin vjetor të sigurisë në Singapor, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përplaset me Pekinin për tregtinë, teknologjinë dhe ndikimin mbi vendet strategjike në mbarë botën.

Që kur mori detyrën në janar, Trump është përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, ka tentuar që të ulë qasjen e Pekinit në teknologji kyç të inteligjencës artificiale dhe ka thelluar lidhjet e sigurisë me aleatë sikurse Filipinet, shtet që ka mosmarrëveshje territoriale me Kinën.

“Rreziku që paraqet Kina është real dhe mund të jetë i menjëhershëm”, tha Hegseth në dialogun Shangri-La, ku morën pjesë zyrtarë të mbrojtjes nga e mbarë bota.

Pekini “në mënyrë të besueshme po përgatitet për përdorimin e mundshëm të forcë ushtarake për të ndryshuar balancën e fuqisë në Indo-Paqësor”, shtoi ai.

Hegseth paralajmëroi se ushtria kineze po ndërton kapacitete për të pushtuar Tajvanin dhe “po kryen stërvitje për një skenar real”.

Pekini ka rritur presionin ushtarak ndaj Tajvanit – ishullit vetëqeverisës që Pekini pretendon se i përket – dhe ka mbajtur disa ushtrime ushtarake përreth ishullit, të cilat shpesh përshkruhen si përgatitje për bllokadë apo pushtim.

SHBA-ja po “riorientohen për të penguar agresionin nga Kina komuniste”, tha Hegseth, duke u bërë thirrje aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së në Azi që të forcojnë mbrojtjet e tyre me shpejtësi përballë kërcënimeve në rritje.

Hegseth tha se sjellja e Kinës është “zile zgjimi”, duke e akuzuar Pekinin se po rrezikon jetë njerëzish me sulme kibernetike, duke ngacmuar fqinjët “dhe duke marrë ilegalisht dhe duke militarizuar territor” në Detin e Kinës Jugore.

Pekini pretendon pothuajse të gjithë rrugën ujore të kontestuar, përmes së cilës kalon më shumë se 60 për qind e tregtisë detare të botës, pavarësisht një vendimi ndërkombëtar që thotë se ky pretendim nuk ka asnjë bazë.

Kina është përplasur në mënyrë të përsëritur me Filipinet në këto ujëra strategjike gjatë muajve të fundit, dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ky tension pritet të dominojë diskutimet në forumin e mbrojtjes në Singapor.

Teksa Hegseth fliste në Singapor, ushtria kineze njoftoi se marina dhe forcat ajrore të saj po kryenin patrullime rutinë “për gatishmëri luftarake” përreth shkëmbinjve Skarborouh, një varg shkëmbinjsh dhe koralesh nënujore, për të cilat Pekini ka mospajtime me Filipinet.

“Ashpërsia e qëndrimit të Kinës në Detin e Kinës Jugore vetëm sa është rritur vitet e fundit”, u tha gazetarëve përpara takimit Casey Mace, i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Singapor.

“Mendoj se ky është pikërisht lloji i forumit ku duhet të kemi një këmbim mendimesh për këtë çështje”.

Pekini nuk ka dërguar asnjë zyrtar të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në samit, por ka dërguar një delegacion nga Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes i Ushtrisë Popullore Çlirimtare.

Fjalimi i i Hegsethit shkaktoi kritika nga analistët kinezë, pjesëmarrës në samit.

Da Wei, drejtor i Qendrës për Siguri dhe Strategji Ndërkombëtare në Universitetin Tsinhua, u tha gazetarëve se fjalimi ishte “shumë jomiqësor” dhe “shumë konfrontues”, duke e akuzuar Uashingtonin për standarde të dyfishta. Ai tha se Uashingtoni në njërën anë kërkon që Pekini të respektojë fqinjët e tij, por u ushtron presion fqinjëve të vet./REL/