Shefi i Fondacionit Politik Gjerman: VV-ja dhe LDK-ja të rindërtojnë mirëbesimin e të formojnë qeverinë - Gazeta Express
string(103) "shefi-i-fondacionit-politiik-gjerman-vv-ja-dhe-ldk-ja-te-rindertojne-mirebesimin-e-te-formojne-qeverine"

Shefi i Fondacionit Politik Gjerman: VV-ja dhe LDK-ja të rindërtojnë mirëbesimin e të formojnë qeverinë

Arbër Jashari

15/01/2020 17:25

Johannes Rey, shefi i Zyrës së Fondacionit Politik Gjerman “Konrad Adenauer” për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në një intervistë për Gazetën Express ka folur për aktualitetin politik në Kosovë, rifillimin e  dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe liberalizimin e vonuar të vizave nga Bashkimi Evropian. Rey ka thënë se Vetëvendosja dhe LDK-ja nuk kanë opsion tjetër përpos të qeverisin së bashku.

Shefi i Zyrës së Fondacionit Politik Gjerman u ka bërë thirrje LDK-së dhe Vetëvendosjes që të ndërpresin publikimin e informatave nga takimet mes tyre, të rindërtojnë mirëbesimin mes vete dhe të nënshkruajnë koalicionin.

Lexo Edhe:

Johannes Rey po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të liberalizojë vizat për Kosovën pasi janë përmbushur të gjitha kushtet.

Gazeta Express: Si i shihni bisedimet mes LDK-së dhe Vetëvendosjes sa i përket koalicionit për të formuar qeverinë e re?

Johannes Rey: Bisedimet mes dy partive janë vërtet të vështira, por jo të pashpresa. Ne në Gjermani e kemi një thënie: “Gjërat e mira marrin kohë.” Edhe Gjermanisë i janë nevojitur më shumë se pesë muaj për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjeve federale në shtator të vitit 2017. Në fund, ata e nënshkruan një marrëveshje të mirë dhe të arsyeshme për koalicion. Nganjëherë është më mirë të ngadalësohet një proces, t’i rimendoni pozicionet dhe opsionet tuaja. Është shumë interesante të shihet se si partitë në Kosovë e emancipojnë veten gjithnjë e më shumë nga presioni kohor i vendosur nga ndërkombëtarët. Kujdesi duhet të vijë para shpejtësisë. Unë jam në favor të një marrëveshje të hollësishme, në të cilën qartësohen që në fillim përbërja e baraspeshuar dhe ndarja e të gjitha ministrive dhe posteve në mënyrë që të shmangen mosmarrëveshjet e mëvonshme. Do të ishte e mrekullueshme të shihet për herë të parë nga pavarësia një qeveri që mbijeton gjatë tërë mandatit 4-vjeçar. Fituesi duhet ta shfrytëzojë mundësinë.

Gazeta Express: Duke pasur parasysh që të dy partitë janë mjaft të ndryshme sa i përket ideologjisë së tyre politike, ata arritën ta ndërtojnë programin qeverisës. A jeni optimist se LDK-ja dhe Vetëvendosja do të gjejnë një zgjidhje dhe të formojnë qeverinë e re?

Johannes Rey: Po, jam optimist në mënyrë të kujdesshme. A mund t’i përgjigjem një pyetjeje me një pyetje? Çfarë opsione kanë LDK-ja dhe VV-ja? Ato duhet t’i vazhdojnë negociatat, ta ndërpresin publikimin e informatave nga takimet, ta rindërtojnë besimin dhe ta kryejnë punën e vet. Populli ua ka dhënë atyre një mandat të qartë.

Gazeta Express: Të dyja partitë janë pajtuar që të reduktojnë numrin e ministrive nga 21 në 12. A mendoni se kjo do të jetë një politikë e mirë për një qeverisje të suksesshme?

Johannes Rey: Njëzet e një ministri për një popullsi prej më pak se dy milionë banorësh janë vërtet tepër. Për krahasim, Gjermania ka popullsi prej rreth 80 milionë banorësh dhe i ka vetëm 14 ministri.

Problemi është që partitë në Kosovë vlerësohen gjerësisht nga elektorati si makina të punësimit. Arti i së mundshmes do të jetë kombinimi i pakësimit të ministrive me një reformë të administratës së fryrë. Një burokraci më e vogël dhe më efektive do të jetë e vështirë për t’u arritur.

Gazeta Express: LDK-ja dhe Vetëvendosja publikisht janë deklaruar kundër çfarëdo forme të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se dy shtetet duhet të rifillojnë dialogun sa më parë?

Johannes Rey: Kjo është në vijë me pozicionin e Gjermanisë. Në një demokraci, duhet të mbizotërojë kultura e dialogut dhe kompromiseve dhe ajo duhet të përkrahet vazhdimisht. Për fat të keq, deri më tash, motoja “Ti ose je me mua, ose kundër meje” ende është një faktor i fuqishëm në politikën e Kosovës. Shpresoj që veçanërisht gjenerata e re e politikanëve do të ketë një qasje më pozitive ndaj dialogut dhe kompromiseve në të ardhmen. Pra, fillojeni dialogun me Serbinë, kapeni problemin në rrënjë dhe eksploroni opsione dhe mundësi të reja. Dhe, nëse dëshironi, përdorini, për shembull, Fondacionet Politike Gjermane për të ndërmjetësuar.

Gazeta Express: A duhet që marrëveshja finale mes dy shteteve të rezultojë në njohje reciproke të bazuar në kufijtë aktualë?

Johannes Rey: Njohja reciproke në bazë të kufijve të tanishëm duhet të jetë qëllimi përfundimtar në fund të tërë procesit. Megjithatë, natyrisht, vendimet historike kanë nevojë për kohë. Ndërkohë shtetet duhet t’i forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin për ta lehtësuar jetën e përditshme të popujve të tyre.

Gazeta Express: A duhet që qeveria e re të anulojë taksën 100% për produktet serbe dhe boshnjake?

Johannes Rey: Sigurisht se duhet ta bëjnë këtë! Në një qeveri të re, gjithmonë ekziston mundësia që të shtypet pulla e risistemimit pa e humbur respektin. Bisedimet e reja duhet të mbahen pa kushte dhe me një frymë të re të mirëkuptimit.

Gazeta Express: Parlamenti Evropian në shtator të vitit 2018 me një shumicë votash votoi pro rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Që nga atëherë nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. A mendoni se BE-ja(Parlamenti Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian,Komisioni Evropian) përfundimisht do të vendosin që në vitin 2020 të heqin regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Johannes Rey: Sipas Komisionit Evropian, të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave janë përmbushur. I kam vetëm tri fjalë për t’ia thënë BE-së: Thjesht, bëjeni atë!