string(104) "shefi-i-diplomacise-serbe-propagandon-se-sdo-te-kete-sanksione-nga-be-ja-pas-vizites-se-vuciqit-ne-moske"

Lajme

Gazeta Express

10/05/2025 14:07

Shefi i diplomacisë serbe propagandon se s’do të ketë sanksione nga BE-ja pas vizitës së Vuçiqit në Moskë

Lajme

Gazeta Express

10/05/2025 14:07

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, pretendoi të shtunën se vizita e presidentit Aleksandar Vuçiq në Moskë gjatë ditëve të fundit “nuk do të sjellë ndërprerje të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE), e as sanksione nga Brukseli zyrtar”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ai tha për Radiotelevizionin shtetëror të Serbisë (RTS) se gjatë javës Beogradin do ta vizitojnë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Ai shtoi se madje pret forcim të marrëdhënieve me Brukselin, të cilat, sipas tij, “nuk do të jenë në dëm të politikës së jashtme të balancuar të Serbisë”.

“Nuk do të ketë ndërprerje të integrimeve evropiane dhe as sanksione – kjo do të bëhet e qartë së shpejti, dhe ajo që mund të presim është vazhdimi i zhvillimit”, tha Gjuriq.

Vuçiq mbërriti në Moskë të enjten, ku një ditë më vonë mori pjesë në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, dhe u takua me presidentin rus Putini për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por përballet me kritika nga Brukseli për shkak të mosharmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së, e cila i ka vendosur sanksione të rrepta Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Marta Kos, komisionarja evropiane për zgjerim, deklaroi gjatë vizitës së saj javën e kaluar në Beograd se, për shkak të vizitës së Vuçiqit në Moskë, do ta ketë “shumë më të vështirë të ndihmojë Serbinë të qëndrojë fuqishëm e orientuar drejt rrugës evropiane”.

“Nëntë maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera të ndryshme. Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin, ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane”, tha Kos ditë më parë.

Pas takimit me Putinin, gjatë të cilit ai u shpreh për rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Vuçiq tha se është i gatshëm t’u përgjigjet kritikave që mund të vijnë nga Bashkimi Evropian.