string(86) "shefi-i-bandes-haitiane-kercenon-se-do-ti-vrase-pengjet-amerikane-nese-si-jepen-parate"

Lajme

Gazeta Express

22/10/2021 10:10

Shefi i bandës haitiane kërcënon se do t’i vrasë pengjet amerikane, nëse s’i jepen paratë

Lajme

Gazeta Express

22/10/2021 10:10

Shefi i një bande famëkeqe në Haiti, e akuzuar për rrëmbimin e 17 anëtarëve të një grupi misionarësh me seli në Shtetet e Bashkuara, ka paralajmëruar se do t’i vrasë pengjet, nëse nuk i plotësohen kërkesat.

“Betohem se nëse nuk e marrë atë që po e kërkoj, do ta fus nga një plumb në kokat e këtyre amerikanëve”, dëgjohet duke thënë udhëheqësi i bandës, Wilson Joseph, në një video të publikuar të enjten në rrjetet sociale.

Zyrtarët kanë thënë më herët se grupi mafioz “400 Mawozo” po kërkon nga një milion dollarë për secilin peng, ndonëse nuk është e qartë nëse kjo vlen edhe për pesë fëmijët e përfshirë në grupin e personave të rrëmbyer. Në këtë mes është edhe një foshnjë 8-muajshe.

Grupi kriminal haitian ka rrëmbyer gjashtëmbëdhjetë amerikanë, një kanadez dhe vozitësin e tyre haitian, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.

Shefi i bandës gjithashtu i kërcënoi Kryeministrin Ariel Henry dhe komandantin e përgjithshëm të policisë përderisa fliste para disa arkivoleve të hapura, ku qartazi dukeshin disa anëtarë të grupit të tij, të vrarë kohëve të fundit.

“Ju djema po më bëni që të qaj. Po qaj me lot si uji, por do t’ju bëj të qani me gjak”, tha Joseph.

Më vonë, zyra e Kryeministrit Henry njoftoi se Leon Charles ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të përgjithshëm të policisë.