Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka thënë të premten se është i “inkurajuar” që Irani është pajtuar për të pranuar një delegacion të vëzhguesve të kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara për të vizituar shtetin “brenda javësh”.
Grossi ka thënë se vizita e ekipit teknik mund të hapë rrugën që inspektorët e OKB-së të kthehen në Iran, potencialisht këtë vit.
“Nëse nuk rikthehemi shpejt, do të ketë probleme serioze, sepse ky është obligim ndërkombëtar i Iranit”, ka thënë Grossi për gazetarët gjatë një vizite në Singapor.
“Jam i inkurajuar nga ajo që kam dëgjuar nga Teherani në aspektin që ata duan të riangazhohen me ne”, ka thënë ai.
Data e vizitës nuk është konfirmuar ende, por Grossi e ka konfirmuar se do të ndodhë “brenda javësh”.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi u ka thënë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork një ditë më parë se një delegacion i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike do të mund ta vizitojë Iranin brenda dy-tre javësh.
Grupi nuk do të ketë qasje në zonat bërthamore, ka thënë Gharibabadi, duke shtuar se vizita do të fokusohet në krijim të lidhjeve të reja me agjencinë.
Ky zyrtar iranian i ka bërë deklaratat në prag të negociatave që do të zhvillohen të premten në Stamboll mes Iranit, Francës, Britanisë dhe Gjermanisë.
Vendet perëndimore janë duke kërcënuar me sanksionim të Iranit, nëse nuk iu rikthehet zotimeve të bëra në marrëveshjen bërthamore.
Nëse shtetet evropiane do të vendosin sanksione, “ne do të përgjigjemi, ne do të reagojmë”, ka thënë Gharibabadi.
Edhe Grossi ka thënë se në ekip nuk do të ketë inspektorë bërthamorë.
“Ne duhet ta dëgjojmë Iranin në aspektin e asaj se çfarë konsiderojnë se duhet të jenë masat paraprake që duhet ndërmarrë. Disa vende janë shkatërruar. Ne duhet ta analizojmë situatën dhe të vendosim për datën e saktë të procesit të inspektimit”.
Një ekip i agjencisë është larguar nga Irani në fillim të korrikut për t’u rikthyer në selinë e organizatës në Vjenë, pasi Teherani e ka pezulluar bashkëpunimin me ta.
Irani e ka fajësuar pjesërisht këtë agjenci për sulmet që janë kryer në qendrat e tij bërthamore në qershor.
Izraeli ka thënë se i ka nisur sulmet për t’ia pamundësuar Iranit zhvillimin e një arme bërthamore, diçka që Teherani e hedh poshtë vazhdimisht.
Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar sulmeve me 22 qershor, duke shënjestruar qendra bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka thënë këtë javë se Teherani nuk ka plan që të braktisë programin bërthamor, përfshirë pasurimin e uraniumit, pavarësisht dëmit të konsiderueshëm në objektet e veta./REL