Sezoni festiv sjell gëzim, por edhe rreziqe të shumta: rrëshqitje në akull, dhimbje nga dekorimi i shtëpisë dhe drita festive që mund të shkaktojnë zjarre. Tani, autoritetet shëndetësore britanike kanë shtuar disa paralajmërime të reja në këtë listë.
Agjencia e Rregullatorëve të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) në Britani ka publikuar udhëzime të reja për rreziqet e fshehura që lidhen me ushqimet festive – nga lakrat e vogla të Brukselit e deri te paralajmërimet për injeksione të rreme për humbje peshe që shiten online.
Lakrat e Brukselit dhe ndërveprimet me ilaçet
Prej kohësh dihet se konsumimi i alkoolit nuk rekomandohet gjatë marrjes së disa barnave. Por këtë vit, MHRA thekson se edhe disa ushqime mund të ndikojnë në efektin e barnave.
Pacientëve që marrin warfarin – ilaç që përdoret për hollimin e gjakut – u këshillohet të shmangin konsumimin e tepërt të lokrave të Brukselit, brokolit dhe perimeve me gjethe jeshile. Arsyeja është se këto ushqime përmbajnë sasi të lartë të vitaminës K, e cila ndihmon në mpiksjen e gjakut dhe mund të ndikojë në efektin e ilaçit.
Nga ana tjetër, produktet me boronicë të kuqe (cranberry) mund të rrisin rrezikun e mavijosjeve dhe gjakderdhjes tek personat që përdorin warfarin.

Probleme për diabetikët dhe përdoruesit e antidepresantëve
Për përdoruesit e insulinës, teprimi me ëmbëlsira, çokollata dhe ushqime shumë të sheqerosura gjatë festave mund të shkaktojë luhatje të papritura të sheqerit në gjak.
Po ashtu, djathrat e vjetër dhe çokollata e zezë, të pasura me tiraminë, mund të paraqesin rrezik për ata që përdorin antidepresantë të tipit MAOI. MHRA rekomandon që çdo pacient të kontrollojë broshurën e ilaçit për të ditur cilat ushqime duhet të shmangë.
Paralajmërim për injeksionet e rreme për humbje peshe
Autoritetet britanike rikujtojnë qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me produktet për humbje peshe të shitura online, veçanërisht injeksionet e rreme që pretendojnë se janë Ozempic, Wegovy apo Mounjaro.
Ilaçet origjinale – me substanca aktive semaglutide dhe tirzepatide – ofrohen nga NHS vetëm për pacientët me diabet të tipit 2 ose për ata që kanë kaluar vlerësim nga një profesionist shëndetësor.
Kërkesa e lartë globale ka bërë që tregu të përmbytet me produkte të falsifikuara, të cilat kanë çuar disa përdorues në kriza epileptike apo edhe në koma kërcënuese për jetën.
Sipas MHRA:
“Produktet e shitura në faqe të paregjistruara ose rrjete sociale mund të jenë të rreme, të kontaminuara, të dozimit të gabuar ose të përmbajnë përbërës të rrezikshëm që nuk deklarohen në paketim.”
Ata paralajmërojnë se shenja të qarta të shitësve ilegalë janë premtimet për “rezultate të menjëhershme”, “mrekulli të humbjes në peshë” apo çmime tepër të ulëta.
Ilaçet për humbje peshe duhet të blihen vetëm me recetë, nga farmaci të licencuara.
Rreziku i mbidozimit të paracetamolit gjatë sezonit të ftohjeve
Në periudhën e dimrit, shumë njerëz përdorin sirupa për kollë, pluhura antipiretikë dhe ilaçe të ndryshme pa recetë. MHRA paralajmëron që qytetarët të jenë të kujdesshëm, sepse paracetamoli gjendet në shumë produkte njëkohësisht, si Lemsip, dekongjestantë të hundës dhe sirupa për kollë.
Kombinimi i tyre mund të çojë në mbidozë të rrezikshme.
Sipas NHS, marrja e tepërt e paracetamolit mund të shkaktojë:
dëmtim të mëlçisë dhe veshkave,
nauze, të vjella dhe dhimbje barku në fazat e para,
verdhëz, mavijosje të lehtë dhe ënjtje të barkut në fazat e mëvonshme.
Në raste të rënda, mund të shkaktojë dështim të mëlçisë, që mund të jetë fatal pa transplant.
Ekspertët, në të kaluarën, kanë theksuar se shumë lloje të shurupit për kollë janë të pasuksesshme dhe shpenzim i kotë parash. Zgjidhjet natyrale si mjaltë dhe limon (për fëmijë mbi 1 vjeç) mbeten ndër rekomandimet më të sigurta.

Kujdes me vitaminën D dhe kremrat hidratuese (emollientët)
Gjatë muajve me pak diell, shumë njerëz marrin vitaminë D. MHRA thekson se nuk duhet tejkaluar doza ditore prej 100 mikrogramësh (4,000 IU), përveç rasteve kur është përshkruar specifikisht nga mjeku.
Po ashtu, qytetarëve u kujtohet rreziku i zjarrit nga kremrat hidratuese për lëkurë të thatë. Mbajtësit e këtyre kremrave duhet të:
qëndrojnë larg flakëve të hapura, qirinjve dhe cigareve,
lajnë rregullisht rrobat dhe çarçafët,
shmangin kontaktin e tyre me jastëkët dhe mobiliet.
Këta kremra lënë mbetje vajore në material, të cilat e bëjnë atë shumë të ndezshëm.
Dr. Alison Cave, drejtoreshë e sigurisë në MHRA, deklaron:
“Sezoni festiv është moment gëzimi dhe tradite, por siguria duhet të mbetet në qendër. Duke ndjekur këto këshilla, festat tuaja do të jenë më të sigurta dhe më të shëndetshme këtë dimër – dhe gjatë gjithë vitit.” /GazetaExpress/