SHBA-ja nuk i mbështet masat jo të plota të Kurtit për heqjen e taksës - Gazeta Express

SHBA-ja nuk i mbështet masat jo të plota të Kurtit për heqjen e taksës

Lajme

Gazeta Express

28/02/2020 6:59

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.

“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Siç ka thënë Kurti, nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.

Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.

Kurti ka shtuar që në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë, nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, “atëherë, Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë dhe më pastaj edhe në fushën ekonomike dhe atë politike”.

Në rast se pala serbe nuk reflekton gjatë periudhës prej 90 ditësh, siç ka thënë kryeministri Kurti, “Qeveria e Kosovës, nga data 15 qershor,do ta rikthej tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”.

Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dalin me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë përfitimet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike, mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët, si dhe të listojnë pasojat për palën jobashkëpunuese në proces.

Hoti: Vendimi i Kurtit nuk është i dakorduar në Qeveri

Koalicioni qeverisës, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka treguar unitet të plotë në lidhje me taksën. Ka më gjatë se një javë që zyrtarët e LDK-së i kanë bërë thirrje Kurtit të mbledh qeverinë dhe të shfuqizojë taksën. Kurse pas vendimit të fundit, të cilin Kurti e bëri publik përmes një konference për media, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në emisionin Pressing të T7 se LDK nuk do të mbetet në qeverinë aktuale nëse taksa nuk hiqet pa kushte.

Kurse në lidhje me vendimin e prezantuar nga Kurti, zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti tha se ai nuk është qëndrim i dakorduar në koalicionin qeverisës.

“Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, ka thënë Hoti. Sipas marrëveshjes së koalicionit, ai tha se tarifa duhej zëvendësuar me reciprocitet.

“Pjesë e marrëveshjes së koalicionit është të hiqet tarifa dhe të zëvendësohet me masat e reciprocitetit nëse Serbia nuk reflekton me heqjen e pengesave”, tha Hoti.

“Kërkesa jonë ka qenë të ulemi dhe të dakordohemi lidhur me çështjen e takës. Ne jemi qeveri dhe duhet konsensus që vendimet e qeverisë të merren së bashku. Besoj se duhet ulemi të bisedojmë”, shtoi Hoti.

Vendimi i Kurtit në lidhje me taksën, është marrë pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Veseli e Haradinaj kritikojnë Kurtin

Ndërkohë, në Prishtinë i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili, përmes një postimi në Facebook, e ka konsideruar këtë vendim “dorëzim para Serbisë”.

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, tha Haradinaj.

Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar në facebook se vendimi i Kurtit, nuk ishte asgjë e re.

“Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar”, ka shkruar Veseli.

“Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët”, shkroi Veseli.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.

Që nga atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.

Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinajt, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti është përballur me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.