Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur një politikë të re për kufizimin e vizave, e cila nuk prek vetëm personat e sanksionuar për trafik droge, por edhe anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada citon Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili thekson se kjo masë synon të godasë më ashpër rrjetet që qëndrojnë pas tregtisë së drogave vdekjeprurëse.
“Po shpall një politikë të re për kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059. Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në vendin tonë.”
Sipas mediave amerikane, Rubio ka theksuar se kriza e fentanilit në SHBA është kthyer në një emergjencë kombëtare, me mbi 220 vdekje nga mbidoza që regjistrohen çdo ditë dhe me mbidozat që mbeten shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët e moshës 18 deri në 44 vjeç.
Politika e re bazohet në seksionin 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë dhe do të zbatohet për personat e lidhur ngushtë me individët e sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059 për vendosjen e sanksioneve ndaj personave të huaj të përfshirë në tregtinë globale të paligjshme të drogës.
Në deklaratën e tij, Rubio ka shtuar:
“Vendosja e kufizimeve të vizave për trafikantët e drogës, anëtarët e familjes së tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit, jo vetëm që do t’i pengojë ata të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por do të shërbejë si një pengesë për vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme.”