Ndërmjet SHBA-së dhe Venezuelës po gjëmon një konflikt për shkak të furnizimeve të pandehura të drogës. Por në thelb synimi janë rezervat më të mëdha të naftës në botë.
Në det të hapur zhvillohen skena me aksione përndjekjeje. Ushtarakët e SHBA-së qëllojnë ndaj anijeve, që dyshohet se transportojnë drogë, Uashingtoni dhe Karakasi mobilizojnë trupat dhe paralajmërojnë reciprokisht palën tjetër.
Në plan të parë SHBA-ja synon të ndalojë tregtinë e drogës nga Venezuela përmes detit drejt SHBA-së.
Por në prapaskenë prej kohësh spekulohet për të ardhmen e Nicolas Maduros, ky i fundit me regjimin e tij socialist drejton vendin, që mban rezervat më të mëdha të naftës në botë.
Sfondi i konfliktit
“Konflikti aktual ndërmjet SHBA-së dhe Venezuelës është shumë më tepër se sa një grindje ideologjike – ai pasqyron konkurrencën për energji, tregje dhe influencë gjeopolitike në rajon”, thotë për DW, Demian Regehr nga fondacioni i afërt me partinë kristiansociale (CSU) Hans-Seidel në Karakas.
Venezuela nuk ka vetëm me SHBA-në tensione, por edhe me vendin fqinj Guajanën ndizen herë pas here grindjet.
Pasi në Guajana u zbuluan rezerva të mëdha nafte, regjimit të Maduros iu ringjallën pretendimet e vjetra ndaj territoreve të shtetit të Guajanas, që mund t’i sigurojnë Venezuelës aksesin në rezervat e naftës. Për këtë Maduro u referohet akordeve të vjetra me ish-fuqinë koloniale britanike.
Ngjitja e Guajanës
Që nga viti 2015 sasitë e nxjerrjes së naftës në Guajana po shënojnë vetëm rritje: “Ndërsa Karakasi thekson pretendimet, SHBA-ja e siguron Guajanën ushtarakisht dhe përmes diplomacisë, kjo edhe për të mbrojtur investimet miliardëshe të koncerneve të veta energjetike”, thotë Regher.
Operacioni aktual ushtarak i SHBA-së kundër Venezuelës ka efektin anësor, për të qenë shpejt në vendngjarje në rast të një invazioni të mundshëm të Venezuelës në Guajana, që Maduro herë pas here përmend.
Në Guajana janë aktivë koncernet e SHBA-së ExxonMobil dhe Chevron. Me investimet e tyre këto koncerne kanë kontribuuar, që nxjerrja e naftës në vend të arrijë në rreth një milion fuçi (barrel) në ditë.
Rënia e Venezuelës
Ndërsa regjimi i Maduros vështron me zili tani bumin e naftës në Guajana, industria e Venezuelës është rrënuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me dështimin në politikën e brendshme. Koncerni shtetëror i naftës në Venezuelë PDVSA, dikur një ndër koncernet energjetike më të mirëorganizuara në Amerikën e Jugut, u kthye në krahun e zgjatur të sundimtarit socialist.
Në vend të ekspertëve me know-how menaxhimin e morën përsipër jo profesionistë, ushtarë partiak. Nga rreth 138 milion ton në vitin 2013 nxjerrja e naftës ra në 34,5 milion ton më 2021, vetëm këto vitet e fundit ka pasur një rritje të lehtë.
Rënia u përshpëjtua nga sanksionet e SHBA-së, pasi socialistët e Venezuelës e injoruan humbjen e ndjeshme që pësuan në zgjedhjet parlamentare në 2015 dhe e ashpërsuan edhe më fort represionin ndaj opozitës.
Kina përfiton
Nga këto zhvillime përfituese është Kina. Meqënëse sanksionet e SHBA-së ia vështirësuan Venezuelës aksesin në tregun amerikan, madje e kanë ndaluar atë tërësisht, Karakasi një pjesë të madhe të eksporteve me kosto të lartë i transporton drejt Kinës përmes flotave të kamufluara.
Kina e merr naftën me çmim të favorshëm – dhe ndërkohë ka ndërmarrë hapat për të siguruar furnizimin ma naftë për të ardhmen. Sipas mediave vendase Venezuela dhe sipërmarrja kineze China Concord Resources Corp (CCRC) kanë vendosur një marrëveshje bashkëpunimi. Në bazë të saj do të krijohet një platformë lundruese, që deri në fund të vitit 2026 do ta pesëfishojë nxjerrjen e naftës në disa fusha nafte në deri 60.000 barrela në ditë.
Kjo është bërë e mundur nga një ligj anti-bllokadë i miratuar më 2020, përmes të cilit investitorët e huaj pavarësisht sanksioneve të SHBA-së mund të investojnë në Venezuelë.
Për Pekinin Venezuela ndërkohë është atraktive, sepse furnizon naftë të lirë, pavarësisht se rafineritë e Kinës nuk janë të përshtatshme për naftën e rëndë venezuelane dhe rrugët e transportit janë të gjata, thotë Regehr nga fondacioni Hans-Seidel në Karakas. “Kina me këtë ndjek dy objektiva gjeostrategjikë: Nga njëra anë mbulon një pjesë të nevojave të veta për energji me kosto të favorshme dhe njëkohësisht i shmanget politikës së sanksioneve të SHBA-së, duke konsoliduar pretendimin e vet si një kundërpeshë ndaj Uashingtonit në Amerikën Latine”, analizon Regehr.
Për të ardhmen kjo do të thotë, që për sa kohë ekzistojnë sanksionet, Venezuela mbetet një “discount supplier”, pra një furnitore, që për shkak të izolimit detyrohet ta shesë lirë mallin e vet. Por nëse ky vend ia del që të sigurojë sërish aksesin në tregjet në SHBA dhe në Europë, Kina mund të humbasë influencën, sepse Karakasi do të përfitojë nga eksportet e naftës.
Maduro synon Europën
Pikërisht për këtë arsye Maduro tani po synon të joshë europianët. Ndërkohë Europa është vetëm spektatore, ndërsa fuqitë botërore SHBA dhe Kina po sigurojnë opcionet në rajon. “Sa kohë Europa do t’u nënshtrohet udhëzimeve nga Uashingtoni?”, shtroi pyetjen Maduro në një konferencë shtypi në fillim të shtatorit dhe u bëri thirrje europianëve, që të injorojnë sanksionet e SHBA-së dhe të vijnë në Venezuelë. “Këtu jeni të lirë, ejani dhe prodhoni, na lini ne të vazhdojmë të prodhojmë me ose pa licencë”, thotë Maduro.
Nëse Maduro ka sukses me apelin e tij, mbetet të shihet. Koncernet europiane të naftës si Repsol nga Spanja ndërkohë janë vënë në radhë duke pritur. Sanksionet e SHBA-së i vendosin punës së tyre kufij të rreptë.
Por një tjetër arsye për distancimin e europianëve është vet Maduro: shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të qeverisë së tij dhe mashtrimi elektoral në zgjedhjet e vitit 2024. /DW