Administrata Trump po vendos sanksione ndaj raportueses speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Francesca Albanese, një kritike e hapur e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza. Sekretari i Shtetit Marco Rubio e lidhi këtë veprim me mbështetjen e saj për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN), disa prej gjyqtarëve të së cilës janë sanksionuar tashmë nga SHBA-të.
Rubio tha se SHBA-të po e sanksiononin Albanese për angazhim të drejtpërdrejtë me GJPN-në në përpjekjet e saj për të ndjekur penalisht shtetas amerikanë ose izraelitë, duke e akuzuar atë si të papërshtatshme për shërbimin si Raportuese Speciale e OKB-së. Sanksionet ka të ngjarë ta pengojnë Albanese të udhëtojë drejt SHBA-së dhe do të bllokojnë çdo pasuri që ajo ka në vend, shkruan BBC.
Ky është përshkallëzimi më i fundit nga administrata Trump, ndërsa zhvillon një fushatë kundër GJPN-së, pasi tashmë ka sanksionuar katër gjyqtarë të saj pasi gjykata vitin e kaluar lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të atëhershëm të mbrojtjes Yoav Gallant për krime të dyshuara lufte në Gaza, akuza që ata i hedhin poshtë.
Rubio akuzoi gjithashtu Albanese se kishte “përhapur antisemitizëm, kishte shprehur mbështetje për terrorizmin dhe kishte përbuzur hapur Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Perëndimin”.
Ky veprim ka të ngjarë të provokojë një reagim të ashpër nga ata që argumentojnë për përgjegjësi për numrin e të vdekurve civilë nga ofensiva ushtarake izraelite në Gaza.
Raportuesja speciale ka argumentuar prej kohësh se qeveritë perëndimore nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbështetur të drejtat e palestinezëve në territoret e pushtuara palestineze dhe me qëndrimin e saj të hapur ka tërhequr mbështetje të konsiderueshme midis atyre që akuzojnë udhëheqësit izraelitë dhe amerikanë se i përdorin akuzat për antisemitizëm si armë, me qëllim që të heshtin kritikat ndaj politikave të tyre.
Koha e njoftimit të sanksioneve është e rëndësishme, me Netanyahun që ndodhet aktualisht në Uashington, ku të mërkurën ai u prit me një kordon nderi të zgjatur në Pentagon. Albanese më parë ka hedhur poshtë pretendime të ngjashme kundër saj, duke i thënë BBC-së në tetor: “Nuk i marr lehtë këto vërejtje dhe shpifjen që ato mbartin, por në të njëjtën kohë, e di që kjo nuk ka të bëjë me mua, pasi paraardhësit e mi e dinin se nuk kishte të bënte me ta”.
“Unë gjithashtu e di që këto shtete anëtare [që bëjnë akuza për antisemitizëm] nuk kanë bërë absolutisht asgjë për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar.”
Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Të paktën 57,575 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi. Shumica e popullsisë së Gazës është zhvendosur gjithashtu disa herë. Më shumë se 90% e shtëpive vlerësohet të jenë dëmtuar ose shkatërruar; sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur; dhe ka mungesa të ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit.