“SHBA s’e shohin më BE si projekt amerikan”, profesori i Harvardit: I frikësohem shpërndarjes së armëve bërthamore në Evropë - Gazeta Express
string(119) "shba-se-shohin-me-be-si-projekt-amerikan-profesori-i-harvardit-i-frikesohem-shperndarjes-se-armeve-berthamore-ne-evrope"

Lajme

Gazeta Express

11/04/2026 23:12

“SHBA s’e shohin më BE si projekt amerikan”, profesori i Harvardit: I frikësohem shpërndarjes së armëve bërthamore në Evropë

Lajme

Gazeta Express

11/04/2026 23:12

Në episodin e radhës të Public Square, i ftuar nga Ditmir Bushati ishte Daniel Ziblatt, profesor i qeverisjes në Universitetin e Harvardit, drejtor i Qendrës për Studime Europiane në Harvard dhe bashkautor i librave të njohur Si vdesin demokracitë dhe Tirania e pakicës.

Biseda u përqëndrua te gjendja e demokracisë në Shtetet e Bashkuara, sfidat e demokracive liberale në Perëndim, raporti transatlantik, si edhe ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale mbi jetën demokratike.

Ziblatt vlerësoi se SHBA nuk po përjeton thjesht një “zhvendosje”, por një sulm autoritar ndaj demokracisë, duke theksuar se shenja të tilla dallohen kur vihet në dyshim rezultati i zgjedhjeve, kur përdoret retorikë e dhunshme ndaj kundërshtarëve dhe kur mohohet legjitimiteti i rivalit politik. Sipas tij, këto zhvillime kanë sjellë erozion të normave bazë demokratike dhe rënie të cilësisë së demokracisë amerikane.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rregullave të pashkruara të demokracisë, të cilat Ziblatt i konsideroi po aq të rëndësishme sa kushtetuta dhe ligjet formale. Ai nënvizoi dy shtylla themelore, tolerancën e ndërsjellë, pra pranimin e rivalit si kundërshtar legjitim, dhe vetëpërmbajtjen institucionale, që kërkon nga pushteti të mos përdorë maksimalisht çdo kompetencë formale që ka në dispozicion.

Në analizën e tij për zhvillimet ndërkombëtare, Ziblatt tha se sot kostot për regjimet autoritare janë më të ulëta se më parë, për shkak të dobësimit të konsensusit perëndimor për promovimin e demokracisë. Ai argumentoi se kur demokracia vihet në vështirësi në vende të mëdha e të fuqishme si SHBA, pasojat nuk janë vetëm kombëtare, por tronditin edhe rendin ndërkombëtar.

Duke folur për marrëdhëniet SHBA–Europë, Ziblatt mbrojti tezën se Bashkimi Europian ka qenë dhe mbetet edhe në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se dobësimi i projektit europian dhe i aleancës transatlantike do të sillte më shumë pasiguri për vetë Europën dhe për rendin perëndimor në tërësi.

“Ju thatë se SHBA-të nuk angazhohen me BE pasi e nuk e shohin më si një projekt amerikan. Sipas mendimin tim, një pjesë e gabimit të politikës aktuale të jashtme amerikane është se nuk pranohet se BE ishte në fakt një projekt amerikan. Kjo ishte në interesin e SHBA.

Ideja se Evropa dhe të mbajë peshën e saj në terma të kontributeve ushtarake gëzon mbështetje por mendoj se nuk duhet ta neglizhojmë rrzikun e mundshëm kur një fuqi e madhe i lejon fuqitë të tjera të zhvillojnë autonominë e tyre në armatime, atëherë e humbet edhe kontrollin ndaj atyre vendeve dhe ekziston rreziku real se vendet evropiane e shikojnë veten në situata të pasigurta.

Për ta thënë thjesht, i frikësohem shpërndarjes së së armëve bërthamore në Evropë. Nuk mendoj se kjo është në interesin e Amerikës. Mendoj se ky projekt është në rrugën e gazuar.”, tha ai.

Një tjetër moment i rendësishëm i bisedës ishte ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në demokraci. Ziblatt shprehu shqetësim për përqendrimin ekstrem të pushtetit ekonomik dhe politik në duart e pak kompanive teknologjike, duke e cilësuar këtë si një lajm të keq jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë demokracinë. Ai mbrojti nevojën që shtetet demokratike të rregullojnë tregun digjital dhe të garantojnë konkurrencë të ndershme.

Në fund të bisedës, ai theksoi se, pavarësisht debateve mbi efikasitetin ekonomik të sistemeve të ndryshme, demokracia mbetet forma më e mirë e qeverisjes për mbrojtjen e lirive themelore, për garantimin e lirive civile dhe për largimin paqësor të udhëheqësve të këqij përmes zgjedhjeve. Sipas tij, nëse shoqëritë nuk arrijnë t’i japin përgjigje bindëse pyetjes “përse demokracia?”, atëherë rrezikojnë të humbasin jo vetëm institucionet demokratike, por edhe vetë betejën për idenë e demokracisë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement