SHBA, politizimi krijoi probleme në menaxhimin e pandemisë - Gazeta Express

SHBA, politizimi krijoi probleme në menaxhimin e pandemisë

Lajme

Gazeta Express

26/01/2021 20:12

Politizimi i masave kundër koronavirusit krijoi probleme të mëdha në përgjigjen kundër pandemisë në Shtetet e Bashkuara, thotë Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive. Dr. Fauci mori pjesë përmes lidhjes me internet në punimet e forumit ekonomik global të Davosit, ku përmblodhi disa mësime të nxjerra deri tani nga kjo krizë globale:

Dr. Anthony Fauci beson se klima e ndezur politike dhe përçarja që ekziston në vend e bëri “tepër problematike” përgjigjen ndaj pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

“Kur sfidat shëndetësore marrin ngjyrim politik, si për shembull vënia e maskave, nuk mund ta imagjinoni sa shkatërrimtare është diçka e tillë për përcjelljen e mesazheve për shëndetin publik”.

Koronavirusi vazhdoi të përhapej jashtë kontrollit për muaj me radhë në Shtetet e Bashkuara. Ky vend vazhdon të kryesojë në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara.

Ish-Presidenti Trump në shumë raste u porpoq të zbuste seriozitetin e krizës në vend dhe ia la në dorë shteteve individuale hartimin e shumë prej politikave, gjë që rezultoi në masa nga më të ndryshmet dhe mungesë uniformiteti në vend.

“Në vend që të përqendroheshim në nivelet e larta të qeverisjes tek shkenca dhe të kuptonim se vendimet duhen marrë bazuar në të dhënat dhe provat, dolën mesazhe kundërthënëse lidhur me ato që duheshin bërë në nivelet më të ulëta,” tha Dr. Fauci.

Eksperti thotë se pandemia nxori në pah probleme të mëdha strukturore në sistemin e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara

“Pandemia ka hedhur një dritë të fortë dhe turpëruese mbi pabarazinë e jashtëzakonshme që kemi në vend dhe që ndjehet edhe në probleme të tjera shëndetësore. Në masë disproporcionale popullata me ngjyrë po infektohet, si dhe po shtrohen në spitale; po ashtu kanë ritme vdekshmërie mjaft më të larta se popullata e gjerë. Ka një numër faktorësh që diktojnë shëndetin, të cilat janë të ngulura në shoqërinë tonë që nga fillimet e saj”.

Mjekët mësojnë përditë e më shumë për koronavirusin, por ende mbetet enigmë origjina e virusit. Dr. Fauci shpreh irritim me mungesën e transparencës nga Kina:

“Ka shumë rëndësi të kuptojmë origjinën dhe ende nuk e dimë. Sikur është e mbyllur në një kuti të zezë. Shumë keq. Ka kaluar më shumë se një vit dhe kjo nuk ka pëlqen aspak,” thotë eksperti.

Dr. Anthony Fauci, i cili kohët e fundit u emëruar nga Presidenti Biden si këshilltari i tij më i lartë mjekësor, përshëndeti vendimin e presidentit për të anuluar tërheqjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:

“Botës i duhet një organizatë si OBSH’ja. Besoj se me reformat që shpresoj se do të bëjë, ajo do të vazhdojë të shërbejë si një organizatë shumëpalëshe që është absolutisht kritike,” shprehet Dr. Fauci.

Nëse kjo nuk ekziston, thotë Dr. Fauci, mund të bëhet ndoshta jo e pamundur, por shumë e vështirë të adresohet një pandemi në etapat e shfaqjes, duke shtuar se shpreson që organizata do të bëjë reformat e nevojshme për të qenë më transparente dhe më e aftë në komunikim e koordinim.