Kosova e pëson për shkak të veprimeve të Kurtit, SHBA merr vendim për suspendimin e dialogut të planifikuar strategjik - Gazeta Express
string(118) "kosova-e-1peson-per-shkak-te-veprimeve-te-kurtit-shba-merr-vendim-per-suspendimin-e-dialogut-te-planifikuar-strategjik"

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 14:08

Kosova e pëson për shkak të veprimeve të Kurtit, SHBA merr vendim për suspendimin e dialogut të planifikuar strategjik

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 14:08

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e plainfikuar strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Për këtë vendim ka njoftuar ambasada amerikane në Kosovë, e cila tha se veprimet e Qeverisë Kurti “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

SHBA tha se mbetet e përkushtuar të çojë përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, tha ambasada amerikane.

Ajo shtoi se dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij kosovar.

“Shpresojmë të vazhdojmë me përpjekje të tilla në të ardhmen, kur të jetë e përshtatshme. E dimë që ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani në janar të këtij viti, pas një takimi që kishte pasë me tashmë ish-zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, kishte njoftuar se Kosova dhe SHBA do ta finalizojnë “së shpejti” një marrëveshje për dialog strategjik.

Çka është Dialogu Strategjik?

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur Dialog Strategjik me shumë vende të botës dhe përmes tij synojnë forcimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në çështje si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Me disa vende, SHBA synon që përmes tij të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin prosperitetin ekonomik dhe që të mbështesë vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.

SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovenia, Italia, Greqia, Egjipti, Katari e të tjera. Ndërkaq, nga Ballkani Perëndimor, SHBA ka Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia gjithashtu tenton të vendosë Dialogun Strategjik me SHBA-në.

Nga vendet e rajonit ishte Maqedonia e Veriut e para që vendosi Dialog Strategjik me SHBA-në më 2 qershor 2022. Në këtë datë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën një Dialog Strategjik në Uashington DC, i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh./Express/