string(107) "shba-nuk-leshon-komanden-e-nato-s-raportohet-se-trump-pritet-te-emeroje-gjeneralin-e-ri-ne-krye-te-aleances"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 17:48

SHBA nuk lëshon komandën e NATO-s, raportohet se Trump pritet të emërojë gjeneralin e ri në krye të aleancës

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 17:48

Përderisa SHBA vazhdon të kërkojë që aleatët europianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, tre zyrtarë amerikanë, një perëndimor dhe një burim nga NATO kanë thënë se presidenti amerikan Donald Trump do të vazhdojë të ruajë traditën e emërimit të një gjenerali amerikan në krye të NATO-s, të paktën për momentin.

Sipas një raportimi të Reuters, bazuar në burime, presidenti Trump ia ka komunikuar vendimin personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ndërsa, zyrtarët kanë thënë se emri më i përfolur për t’u emëruar si komandant i ri suprem i NATO-s në Europë (SACEUR) dhe njëkohësisht komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) është gjenerali i Forcave Ajrore, Alexus Grynkewich.

Kujtojmë se pozicioni i SACEUR, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet e NATO-s në Europë, është mbajtur gjithmonë nga një gjeneral amerikan që nga krijimi i alencës pas Luftës së Dytë Botërore.

E edhe pse ende nuk ka pasur ndonjë koment zyrtar nga Pentagoni, Shtëpia e Bardhë apo NATO, Reuters shkruan se ky vendim pritet të qetësojë aleatët europianë të NATO-s, si dhe disa nga vetë republikanët e Trump, të shqetësuar nga qëndrimet e ashpra të Uashingtonit ndaj Europës që është parë si sinjal i mundshëm për një tërheqje të shpejtë nga udhëheqja ushtarake amerikane në Europë.

Raportohet poashtu se zyrtarët kanë theksuar se paralajmërimet e SHBA-së për nevojën e një zhvendosjeje të fokusit drejt Azisë dhe sigurisë kombëtare janë të sinqerta. Bëhet e ditur se edhe pse ende nuk është marrë ndonjë vendim, administrata Trump ka diskutuar mundësinë e reduktimit të trupave në Europë, ku aktualisht ndodhen rreth 80,000 ushtarë amerikanë.

Rikujtojmë se që nga marrja e detyrës në janar, administrata Trump ka ushtruar presion të madh ndaj vendeve europiane për të rritur shpenzimet për mbrojtje, duke argumentuar se Europa duhet të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e vet. Ndërkohë, brenda administratës janë zhvilluar diskutime edhe për mundësinë që roli i komandantit suprem të kalojë te një vend europian në të ardhmen.