string(82) "shba-ndermjetes-mes-izraelit-dhe-hamasit-cfare-dihet-per-propozimin-e-armepushimit"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 10:59

SHBA, ndërmjetës mes Izraelit dhe Hamasit: Çfarë dihet për propozimin e armëpushimit?

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 10:59

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një propozim të ri për armëpushim të përkohshëm në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. E ndërkohë që raportohet se Izraeli e ka pranuar planin, Hamasi e ka marrë me skepticizëm, duke thënë se nuk plotëson të gjitha kërkesat.

Sipas mediave të huaja, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar për gazetarët se “Izraeli e ka mbështetur dhe miratuar” këtë propozim të ri. Ndërkohë, zyrtarët e Hamasit e kanë pritur me ftohtësi draftin e propozuar, duke theksuar se ai nuk përmbush asnjë nga kërkesat thelbësore të popullit palestinez, siç janë ndalimi i luftës dhe përfundimi i urisë masive në Gaza.

Duke folur për Associated Press, zyrtari i lartë i Hamasit ka thënë se: “Në thelb, përgjigjja sioniste synon të vazhdojë pushtimin dhe vrasjet,” megjithatë ai ka shtuar se grupi do ta studiojë me “përgjegjësi kombëtare” këtë propozim.

Çfarë përmban plani i ri i armëpushimit?

Sipas burimeve nga Hamasi dhe Egjipti, propozimi amerikan përfshin një pauzë 60-ditore në luftime, nisjen e negociatave serioze për një armëpushim afatgjatë dhe garanci që Izraeli nuk do të rifillojë operacionet ushtarake pas lirimit të pengjeve.

Gjatë kësaj pauze, Hamasi do të lirojë 10 pengje të gjalla dhe do të dorëzojë trupat e disa të vdekurve, në këmbim të lirimit të mbi 1.100 të burgosurve palestinezë nga burgu izraelit, përfshirë 100 të dënuar për sulme vdekjeprurëse.

Gjithashtu, çdo ditë do të lejohen qindra kamionë me ushqime dhe ndihma të hyjnë në Gaza, ku ekspertët paralajmërojnë për një uri katastrofike pas një bllokade tre mujore nga Izraeli, e cila ka nisur të zbutet vetëm kohët e fundit.

Çfarë kërkon secila palë?

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se lufta nuk do të përfundojë pa lirimin e të gjitha pengjeve dhe shkatërrimin apo çarmatosjen totale të Hamasit, duke ka theksuar se Izraeli do të mbajë kontroll të pacaktuar mbi Gazën dhe ka përmendur mundësinë e emigrimit të popullsisë së saj – plan që është kundërshtuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Hamasi ka bërë të ditur se nuk do të lirojë asnjë peng të mbetur pa marrë garanci për një armëpushim të qëndrueshëm, tërheqje të plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Aktualisht, Hamasi mban 58 pengje, por besohet se vetëm një e treta e tyre janë ende gjallë.

Kujtojmë se negociatat ndërmjet SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit për një zgjidhje të konfliktit kanë zgjatur mbi një vit e gjysmë, por mungesa e konsensusit mbi natyrën e armëpushimit – të përkohshëm apo të përhershëm – vazhdon të pengojë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.