Ambasada Amerikane në Moskë ka njoftuar se ambasadorja e SHBA-së atje, Lynne Tracy po largohet nga detyra pas dy vjet e gjysmë.
Tracy, ka nisur detyrën e saj si ambasadore në janar 2023 gjatë administratës së presidentit Joe Biden, ndërsa më parë ka mbajtur poste në disa ish-republika sovjetike, përfshirë Armeninë, Turkmenistanin, Kazakistanin dhe Kirgistanin – si dhe në Pakistan dhe Afganistan.
Ambasada e SHBA-së në Moskë, e cila kishte njoftuar largimin e Tracy-t që në fillim të muajit, nuk ka deklaruar ende se kush do të jetë zëvendësuesi i saj. Deri më tani, administrata e presidentit Donald Trump nuk ka bërë asnjë emërim të ri publik.
Ndërkohë, sipas The Moskow Times, në një mesazh lamtumire të publikuar në kanalin Telegram të Ambasadës së SHBA-së në Moskë, Tracy ka thënë:
“Ndërsa largohem nga Rusia, e di që kolegët e mi në ambasadë do të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve dhe ruajtjen e lidhjeve me popullin rus.” Ajo tutjE ka shtuar se është “frymëzuar nga takimi me rusë që e duan vendin e tyre dhe punojnë çdo ditë për një të ardhme më të mirë.”
Poashtu bëhet e ditur se në fund të mesazhit të saj lamtumirës, ambasadorja ka cituar disa vargje nga poezia e Aleksandër Pushkinit “Drejt Çaadaevit”.