Në një deklaratë të dhënë nga Chevening House në Kent, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka thënë se administrata Trump ka “disa mospajtime” me Izraelin në lidhje me mënyrën se si po e zhvillon luftën në Gaza, megjithëse Uashingtoni ndan të njëjtat objektiva me Jerusalemin.
I pyetur nga gazetarët gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar për vendimin e kabinetit izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza – ku aktualisht strehohen rreth 1 milion palestinezë – Vance ka theksuar se dy qëllimet kryesore të administratës janë të sigurojë që Hamas të mos ketë më mundësi të sulmojë civilë të pafajshëm dhe të zgjidhet kriza humanitare në Gaza.
“Ka shumë objektiva të përbashkëta këtu. Por ka disa mospajtime mbi mënyrën e saktë për të arritur ato objektiva,” deklaroi Vance, raporton The Times of Israel.
Ai më tej ka shtuar: “Ne nuk do të kemi një përgjigje të qartë se si të zgjidhim një problem kaq të ndërlikuar… Po të ishte e lehtë të sillje paqen në atë rajon të botës, do të ishte bërë prej kohësh.”
Ndërkohë, i pyetur nëse SHBA pajtohet me planin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur një shtet palestinez, Vance tha se MB ka të drejtë të marrë vendimet e veta në këtë drejtim. Megjithatë, ai ritheksoi se SHBA nuk do të ndjekë të njëjtën rrugë.
“Nuk e di se çfarë kuptimi do të kishte njohja e një shteti palestinez, duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje,” ka thënë Vance.