Partneriteti strategjik në rritje mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut është bërë një nga sfidat kryesore të sigurisë me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Në librin e tyre “Boshti i agresorëve”, i botuar së voni, admirali në pension Mark Montgomery, dhe bashkautorët Bradley Bowman dhe Elaine Dezenski, dokumentojnë më shumë se 600 raste bashkëpunimi mes këtyre katër shteteve autoritare, duke argumentuar se koordinimi i tyre shtrihet në fushat ushtarake, teknologjike, ekonomike dhe kibernetike.
Montgomery, drejtor i lartë i Qendrës për Inovacion në Fushën Kibernetike dhe Teknologjike dhe bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se Perëndimi vazhdon ta nënvlerësojë si shkallën e këtij bashkërendimi, ashtu edhe rrezikun që ai paraqet. Radio Evropa e Lirë (REL) bisedoi me të për Ukrainën, Iranin, konfliktet e njëkohshme dhe atë që ushtria amerikane duhet të bëjë për t’u përgatitur për to.
Radio Evropa e Lirë: A po i nënvlerëson Uashingtoni Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut si një bosht të integruar autoritar dhe atë se sa ngushtë bashkërendojnë ato?
Mark Montgomery: Në një masë të madhe po e nënvlerësojmë nivelin e koordinimit të tyre dhe, për rrjedhojë, përgjigjet tona ndaj veprimeve të tyre të përbashkëta shpesh janë të pamjaftueshme. Në SHBA, këtë mund ta shihni te Ukraina.
Ukraina po lufton qartë kundër Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës. Irani po furnizon me dronë Shahed – jo vetëm mijëra dronë, por edhe teknologjinë për t’i prodhuar ata brenda Rusisë. Rusët tani po prodhojnë vetë dronë të projektuar nga Teherani.
Koreja e Veriut ka dërguar 12.000 ushtarë dhe njerëzit përqendrohen te kjo. Por, ajo ka furnizuar gjithashtu 5 deri në 6 milionë predha artilerie dhe mortajash. Kjo është më shumë sesa ka prodhuar e gjithë NATO-ja gjatë dekadave të fundit.
Së fundi, Kina po mbështet përpjekjet luftarake të Rusisë duke furnizuar mikroelektronikë për raketat balistike, hipersonike dhe ato lundruese që po godasin Kievin sot.
Ukraina duhet të luftojë kundër të katër vendeve. SHBA-ja, edhe gjatë administratës Biden, ishte shumë e ngadaltë në ofrimin e sistemeve të duhura të armëve me rrezen e nevojshme të veprimit dhe nuk dislokoi kurrë forca amerikane në Ukrainë për qëllime stërvitjeje. Presidenti Donald Trump ka bërë edhe më pak, duke ulur ndihmën për sigurinë për 99 për qind krahasuar me administratën Biden.
Të njëjtin problem e shihni edhe në Evropë, kur SHBA-ja përballet me Iranin. Irani është një regjim autoritar 47-vjeçar, që ka mbështetur terrorizmin pothuajse gjatë gjithë kësaj periudhe. Ai ka vrarë më shumë se 1.000 ushtarë amerikanë në Irak dhe Afganistan, rreth 500 trupa të NATO-s dhe qindra evropianë në sulme terroriste. Ai mbështet grupe aleate, përfshirë Huthit, Hezbollahun dhe grupet e armatosura në Irak e Siri. Gjithashtu, ka vrarë më shumë se 30.000 qytetarë të vet brenda një fundjave të vetme.
Evropa ende e shikon këtë konflikt, dhe thotë se këto janë dy palë ndërluftuese të barabarta: Irani dhe SHBA-ja. Kjo është absurde. Irani mbështetet nga Rusia. Mbështetet nga Kina. Në të kaluarën është mbështetur edhe nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ende nuk arrijmë ta bindim Evropën të na mbështesë kundër Iranit.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që krizat e koordinuara t’i shpërndajnë forcat amerikane në disa beteja njëkohësisht. Sa është Pentagoni afër pikës kur nuk do të mund të përballojë më dy ose tre konflikte të njëkohshme?
Mark Montgomery: Në fakt, ka dy gjëra për të cilat duhet të shqetësohemi. E para është struktura e forcës: anijet, skuadronët e avionëve, tanket dhe batalionet. E dyta janë municionet.
Struktura jonë e forcës është në gjendje disi më të mirë. Jemi relativisht afër aftësisë për të përballuar konflikte të njëkohshme, por ende nuk kemi arritur aty. Na duhen më shumë investime dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen. Edhe pse kritikojmë vendet evropiane se përfitojnë pa kontribuar mjaftueshëm, edhe shpenzimet amerikane për mbrojtjen kanë rënë – nga rreth 4 deri në 5 për qind e PBB-së në fund të Luftës së Ftohtë në rreth 3 për qind, madje edhe më poshtë në fund të administratës Biden.
Problemi më i madh janë municionet. Rezervat tona ishin tashmë të pamjaftueshme pas 25 vitesh nëninvestimesh. Tani ato janë vënë nën presion të madh nga mbështetja për Ukrainën dhe operacionet që lidhen me Iranin. Kjo paraqet sfidën më serioze në rast të konflikteve të njëkohshme.
Radio Evropa e Lirë: Hulumtimi juaj tregon se mikroelektronika kineze po ushqen si prodhimin iranian të raketave, ashtu edhe programet ruse të armatimit. Zyrtarët amerikanë shpesh i paraqesin sanksionet si përgjigjen kryesore. A mund të funksionojnë vërtet sanksionet kur Pekini shërben si mbështetja teknologjike dhe ekonomike e gjithë këtij boshti?
Mark Montgomery: Një nga sfidat me mikroelektronikën është se shumë komponentë janë me përdorim të dyfishtë. Një produkt mund të eksportohet në Kinë për një përdorim legjitim civil, dhe më pas të ripërdoret për qëllime ushtarake, përpara se të transferohet në Rusi. Kjo i bën sanksionet shumë të vështira për t’u zbatuar.
Përtej kësaj, zbatimi i sanksioneve ndaj eksporteve të naftës nga Irani dhe Rusia shpesh ka qenë i dobët dhe, në shumë raste, thjesht është injoruar.
Tani po diskutohet për legjislacion të ri, si projektligji i senatorit Lindsey Graham, për të rritur presionin ndaj Rusisë. Por, realiteti është se shumica e kompetencave që i duhen qeverisë ekzistojnë tashmë. Thjesht nuk i zbatojmë siç duhet, ose lejojmë politika tepër të gjera për dhënien e përjashtimeve.
Radio Evropa e Lirë: Ndërsa Uashingtoni po shqyrton diplomacinë me Teheranin, ju keni argumentuar kundër nxitimit për të hyrë në negociata. Cili është rreziku më i madh strategjik nëse një marrëveshje nuk arrin të çmontojë infrastrukturën më të gjerë ushtarake të Iranit dhe rrjetin e grupeve të tij aleate?
Mark Montgomery: Është e vështirë të veçosh vetëm një përparësi. Natyrisht, Iranit nuk duhet t’i lejohet të sigurojë armë bërthamore ose raketa balistike të afta për t’i transportuar ato.
Lajmi i mirë është se programi bërthamor i Iranit është shtyrë prapa me diku mes pesë dhe dhjetë vjetësh për shkak të fushatës së kombinuar të bombardimeve gjatë një viti e gjysmë të fundit. Objektet kanë pësuar dëme të konsiderueshme, shumë inxhinierë janë vrarë dhe prodhimi i raketave ka marrë goditje të mëdha. Edhe pse Irani mund të kompensojë përmes importeve nga Rusia ose Kina, kjo është bërë shumë më e vështirë.
Një tjetër çështje madhore është Ngushtica e Hormuzit. Pozita gjeografike e Iranit i jep atij ndikim të madh mbi këtë rrugë ujore. Omani ka të njëjtin avantazh gjeografik, por respekton të drejtën ndërkombëtare. Irani jo. Negociatat me iranianët janë të vështira sepse Garda Revolucionare Islamike (IRGC) mund t’i shkaktojë vuajtje të mëdha popullit iranian pa i bartur vetë pasojat.
Radio Evropa e Lirë: Ju vizituat së voni vijën e frontit në Ukrainë. A po shërben lufta si një laborator i gjallë operacional ku ky bosht autoritar po përsos luftën e së ardhmes?
Mark Montgomery: Po, për të dyja palët. Për SHBA-në, për Perëndimin në tërësi dhe për Rusinë, Ukraina është një laborator. Dallimi është se SHBA-ja nuk po përfiton plotësisht nga kjo.
SHBA-ja mban vetëm një prani minimale ushtarake në Ukrainë, kryesisht të lidhur me ambasadën. Nuk kemi mjaftueshëm personel që të nxjerrë mësime drejtpërdrejt nga fusha e betejës. Ndërkohë, Rusia po ua transmeton në mënyrë agresive këto përvoja Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit.
Koreja e Veriut po mëson nga dora e parë. Fillimisht dislokoi 12.000 ushtarë dhe tani ka raportime për deri në 30.000 trupa koreanoveriore që luftojnë krah forcave ruse. Ata po fitojnë përvojë të drejtpërdrejtë në këtë formë të re të luftës adaptive.
Radio Evropa e Lirë: Ndërsa Rusia dhe Irani shkëmbejnë të dhëna për objektivat dhe përvojë nga fusha e betejës, sa shpejt po e përmirëson ky cikël reagimi aftësinë e kundërshtarëve të Amerikës për t’iu kundërvënë armëve dhe doktrinës ushtarake amerikane?
Mark Montgomery: Ka dy dinamika të ndara. Së pari, Rusia po mëson shumë shpejt në fushën e betejës. Ajo përshtatet me shpejtësi dhe këto mësime përfundimisht ndahen me vendet e tjera. Kjo e bën para së gjithash Rusinë më të aftë, por me kalimin e kohës i forcon edhe të tjerët.
Dinamika e dytë është ajo që Rusia u ofron në këmbim për mbështetjen e tyre. Irani merr informacione për objektivat që lidhen me forcat amerikane në Lindjen e Mesme.
Koreja e Veriut merr ndihmë në fushën hapësinore, e cila mbështet drejtpërdrejt zhvillimin e raketave balistike ndërkontinentale që një ditë mund të arrijnë në SHBA. Koreja e Veriut ka ndarë më parë teknologji raketore me Iranin dhe mund ta bëjë këtë sërish.
Kina ndoshta po përfiton më shumë se kushdo. Raportet sugjerojnë se Rusia po i ofron teknologji për reduktimin e zhurmës së nëndetëseve, duke adresuar një nga mangësitë më të mëdha ushtarake të Kinës në raport me SHBA-në.
Po ashtu, Rusia thuhet se po ofron teknologji dhe trajnim për operacione ajrore të shkallës së gjerë me helikopterë, të cilat mund të mbështesin një pushtim të ardhshëm përtej Ngushticës së Tajvanit. Këto janë transferime të rëndësishme të kapaciteteve ushtarake që Rusia nuk kishte qenë kurrë më parë e gatshme t’i ofronte. Ato janë pjesë e çmimit që Moska po paguan për mbështetjen që merr në luftën e saj kundër Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë: Cili është reformimi i vetëm më i rëndësishëm strukturor që ushtria amerikane duhet të ndërmarrë gjatë dekadës së ardhshme për të frenuar këtë bosht autoritar gjithnjë e më të koordinuar?
Mark Montgomery: Ndryshimi më i madh strukturor duhet të jetë në prokurimin ushtarak, konkretisht pranimi i një niveli më të madh rreziku për të lëvizur shumë më shpejt.
Për dekada me radhë, SHBA-ja mund ta përballonte një proces shumë të ngadaltë, sepse asnjë vend nuk mund ta sfidonte seriozisht. Shpenzonim 15 vjet për të projektuar dhe ndërtuar një anije. Shpenzonim 10 vjet për të projektuar dhe futur në përdorim një avion të ri. Këto afate duhet të shkurtohen ndjeshëm.
Kur flasim për dronë, sisteme kundër dronëve ose municione, prokurimi duhet të matet me muaj, jo me vite. Edhe për platformat kryesore, si anijet dhe avionët, zhvillimi duhet të matet me vite, jo me dekada. Në fund, suksesi do të varet nga reforma e prokurimit dhe nga krijimi i shpejtësisë dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të konkurruar me kundërshtarët tanë.