ShBA-ja do t’i largojë studentët e huaj, nëse mësimi vazhdon të mbahet online - Gazeta Express

ShBA-ja do t’i largojë studentët e huaj, nëse mësimi vazhdon të mbahet online

Lajme

Gazeta Express

07/07/2020 10:24

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të hënën se nuk do ta lejojë qëndrimin e studentëve të huaj, nëse i tërë procesi mësimor nga vjeshta do të mbahet online për shkak të koronavirusit.

“Studentët joimigrues F-1 dhe M-1 që janë në shkolla që veprojnë tërësisht online nuk mund të mbesin në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të Agjencisë për Migrim dhe Dogana të Shteteve të Bashkuara.

“Studentët aktivë në Shtetet e Bashkuara që janë të regjistruar në programe të këtilla duhet të largohen nga vendi ose të marrin masa të tjera, siç është transferimi në një shkollë me proces fizik të mësimdhënies në mënyrë që të mbeten në statusin ligjor”, thuhet më tej në deklaratë.

Për më tepër, u njoftua se Departamenti i Shtetit nuk do të lëshojë viza për studentët e regjistruar në programe që janë plotësisht online për semestrin vjeshtor dhe as zyrtarët e kufirit dhe doganave nuk do ta lejojnë hyrjen e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Sidoqoftë, shumica e universiteteve dhe kolegjeve amerikane nuk i kanë publikuar ende planet për semestrin vjeshtor.

Disa institucione po e shqyrtojnë mundësinë e formës së kombinuar me mësim përmes internetit dhe në objekte fizike. Megjithatë, disa të tjera, përfshirë Universitetin e Harvardit, kanë njoftuar se të gjitha ligjëratat do t’i zhvillojnë vetëm përmes internetit.