Zyrtarët amerikanë dhe iranianë nisën bisedimet në Gjenevë më 26 shkurt, në atë që shihet si përpjekje e fundit për të arritur një marrëveshje bërthamore dhe për të shmangur një konflikt të madh ushtarak mes dy kundërshtarëve.
Rundi i tretë i diskutimeve nisi teksa presidenti Donald Trump po peshon opsionet për një veprim ushtarak amerikan nëse nuk arrihet një marrëveshje për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe teksa dy aeroplanmbajtës amerikanë janë dislokuar në afërsi të Republikës Islamike.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, po zhvillon bisedime me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Përfaqësuesit e Omanit janë ndërmjetës, sikurse ishin në këtë kapacitet edhe në dy rundet paraprake.
Palët zhvilluan bisedime indirekte më herët gjatë këtij muaji në Oman, të parat që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kryesore bërthamore të Iranit gjatë një konflikti të shkurtër në qershor të vitit të kaluar. Rundi i dytë i bisedimeve u mbajt në Gjenevë më 17 shkurt.
Të dy rundet e negociatave nuk sollën përparim dhe pikat kyç të mospajtimeve mbeten të pazgjidhura.
Gjatë bisedimeve, SHBA-ja ka kërkuar që Irani të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe të heqë dorë nga stoku i tij prej rreth 400 kilogramësh të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, hapa këto që do ta parandalonin Teheranin që të prodhonte një armë bërthamore.
Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe civile, sikurse është prodhimi i energjisë elektrike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha më 25 shkurt se Irani po përpiqet të “rindërtojë elemente” të programit të tij bërthamor edhe pse aktualisht nuk po pasuron uranium.
Rubio tha po ashtu se edhe pse bisedimet do të përqendrohen në programin bërthamor të Iranit, raketat e tij “duhet të trajtohen gjatë negociatave”, pasi Teherani ka “mijëra raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi që mund të arrijnë bazat amerikane në rajon”.
Ai shtoi se deklaratat e Trumpit më 24 shkurt gjatë adresimit drejtuar kombit se Irani po “punon për të ndërtuar raketa që së shpejti do të arrijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës” nuk do të thotë se ata aktualisht zotërojnë armë të tilla, por se “qartësisht janë në rrugën që, një ditë, të jenë në gjendje të zhvillojnë armë që mund të arrijnë SHBA-në”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, tha më 26 shkurt se bisedimet indirekte do të përqendrohen vetëm te programi bërthamor i Teheranit.
Më vonë, Baqaei tha se shefi i organizatës vëzhguese bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, me gjasë do t’iu bashkohet bisedimeve “për të ndihmuar në avancimin e diskutimeve për çështje teknike”.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, tha më 26 shkurt se zyrtarët amerikanë dhe iranianë kishin shfaqur “gatishmëri të paprecedentë ndaj ideve dhe zgjidhjeve të reja dhe kreative”.
Irani ka treguar se është i gatshëm të bëjë kompromise në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane dhe njohjes së të drejtës së tij për pasurimin e uraniumit.
Para negociatave të 26 shkurtit, Araqchi tha se një marrëveshje “mund të arrihet, por vetëm nëse diplomacia bëhet prioritet”.
Ai po ashtu u zotua se Irani “në asnjë rrethanë kurrë nuk do të zhvillojë një armë bërthamore”, por insistoi në të drejtën e vendit për të “shfrytëzuar përfitimet e teknologjisë bërthamore paqësore”.
Në adresimin e tij më 24 shkurt, Trump dukej se po argumentonte për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, duke thënë se ai nuk do të lejojë “sponsorin numër një në botë të terrorit” të ketë armë bërthamore.
Trump tha se Teherani dëshiron që të rindërtojë programin e tij bërthamor dhe se “në këtë moment po ndjek përsëri ambiciet e tij djallëzore bërthamore”, një pretendim që u hodh poshtë nga Teherani.
Negociatat në Gjenevë vijnë pas kërcënimeve të përsëritura të Trumpit për veprim ushtarak kundër Teheranit, fillimisht për shkak të shtypjes brutale të protestave masive në janar, dhe më vonë për shkak të programit bërthamor të shtetit.
Fuqitë botërore kishin arritur një marrëveshje bërthamore me Teheranin më 2015 për të parandaluar Republikën Islamike që të krijonte një bombë bërthamore.
Atëbotë, sanksionet ekonomike të Perëndimit u lehtësuan, por Irani nisi të shkelë angazhimet pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë mandatit të tij të parë si president dhe rivendosjes së sanksioneve./REL/