Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet ta zhvillojnë rundin e pestë të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit të premten në Romë. Rëndësia e këtyre bisedimeve kurrë nuk ka qenë më e madhe.
Pengesa kryesore është pasurimi i uraniumit nga Irani. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se Irani duhet të heqë dorë nga kjo për të arritur marrëveshje, në mënyrë që të mos e përdorë atë për zhvillimin e bombave atomike.
Megjithatë, për Iranin, vazhdimi i pasurimit të uraniumit është bërë çështje parimore, pasi ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, tha se pasurimi do të vazhdojë “me apo pa marrëveshje”.
Araqchi e tha këtë para se të nisej nga Teherani për në kryeqytetin italian të premten. Ai shkroi në X se arritja e një marrëveshjeje varet nga ajo nëse SHBA-ja do ta zbusë qëndrimin e saj për uraniumin.
“Gjetja e rrugës drejt një marrëveshjeje nuk është shkencë në vete”, shkroi Araqchi, “është koha për të vendosur”.
Administrata Trump mban qëndrimin se Irani duhet ta ndala plotësisht pasurimin e uraniumit, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha rishtazi se qëndrimi i Uashingtonit është thelbësor, “sepse pasurimi mundëson armatosjen”.
Duke përsëritur këtë qëndrim, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha para një komisioni të Senatit më 21 maj se “çdo nivel i pasurimit të brendshëm është i papranueshëm dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë”.
Witkoff, i cili e përfaqëson SHBA-në në bisedimet bërthamore, ka ndryshuar qëndrim që nga fillimi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Omani në prill.
Në një çast, ai la të kuptohej se Uashingtoni do ta pranonte që Irani të pasuronte uranium deri në 3.67 për qind pastërti – siç ishte përcaktuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën Trump e shfuqizoi gjatë mandatit të tij të parë.
Një ide që është propozuar për t’i shpëtuar bisedimet dhe për të arritur një marrëveshje është krijimi i një konsorciumi rajonal bërthamor që do të përfshinte Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me mundësinë e përfshirjes amerikane.
Araqchi këtë javë tha se Irani nuk është kundër kësaj ideje, por këmbënguli se asnjë nismë nuk do ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit në tokën e vet.
Një raport i ri këtë javë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së tha se Irani “me shumë gjasë nuk është duke prodhuar armë bërthamore”, por “veprimtaria e tij në vitet e fundit e vë atë në pozitë të mirë për t’i prodhuar ato, nëse dëshiron ta bëjë”.
Irani është duke pasuruar uranium në shkallë 60 për qind pastërti, që është pranë shkallës së nevojshme për armë.
Irani thotë se, ndonëse është i gatshëm ta ulë këtë shkallë, i duhet uranium i pasuruar në 20 për qind për reaktorin e Teheranit.
Ndërkohë, fuqitë evropiane kanë kërcënuar se do të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit automatik” të sanksioneve të OKB-së nga marrëveshja e vitit 2015, nëse Irani nuk arrin marrëveshje me SHBA deri në fund të qershorit.
E drejta për të përdorur këtë mekanizëm skadon në tetor, ndaj Irani, i cili ka paralajmëruar për pasoja nëse sanksionet rikthehen, është në garë me kohën.
Ndërkohë, raportohet se Izraeli po përgatitet t’i godasë qendrat bërthamore iraniane në rast të mungesës së një marrëveshjeje, gjë që ka bërë që Araqchi të paralajmërojë për “masa të veçanta” që Irani do t’i ndërmarrë, nëse sulmohet./REL/