SHBA heq nga lista e sanksioneve Nebojsha Kariqin dhe kompaninë e familjes së tij të lidhur me Lukashenkon - Gazeta Express
string(106) "shba-heq-nga-lista-e-sanksioneve-nebojsha-kariqin-dhe-kompanine-e-familjes-se-tij-te-lidhur-me-lukashenkon"

Lajme

Gazeta Express

22/08/2025 13:15

SHBA heq nga lista e sanksioneve Nebojsha Kariqin dhe kompaninë e familjes së tij të lidhur me Lukashenkon

Lajme

Gazeta Express

22/08/2025 13:15

Departamenti amerikan i Thesarit ka hequr nga lista e sanksioneve kompaninë Dana Holdings Limited (Dana Holdings), të regjistruar në Qipro dhe e lidhur me familjen serbe Kariq, e njohur për mbështetjen e saj ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90.

Nga lista është hequr gjithashtu edhe Nebojsha Kariq, shtetas serb dhe qipriot, djali i biznesmenit serb Bogolub Kariq, i cili sipas autoriteteve amerikane kishte rol kyç në kompaninë në fjalë.

Perandoria ndërtimore e familjes Kariq ishte futur në listën e zezë në vitin 2021, si pjesë e zgjerimit të sanksioneve kundër Bjellorusisë, duke përfshirë entitete dhe persona që, sipas SHBA-së, përfitonin ose mbanin gjallë regjimin e Aleksandar Lukashenkos në dëm të popullit bjellorus.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit amerikan të Thesarit kishte vënë në shënjestër kompaninë duke theksuar se ajo kishte marrë përfitime të shumta përmes dekreteve presidenciale të Lukashenkos – nga dhurimi i tokave shtetërore në Minsk me vlerë afër 800 milionë dollarë për një projekt të vetëm, e deri te lehtësitë fiskale, përjashtimet nga tatimet, përdorimi i resurseve publike për punime infrastrukturore dhe kushte të tjera privilegjuese.

Në atë kohë u theksua se familja Kariq kishte marrëdhënie të ngushta me Lukashenkon. Dana Holdings, sipas njoftimit, u kishte ofruar punonjësve një ditë pushimi për të marrë pjesë në një miting pro Lukashenkos pas zgjedhjeve të 9 gushtit të vitit 2020 – që Perëndimi konsideron se ishin manipuluar – kishte shfaqur mesazhe mbështetjeje në fletushka proregjimit dhe madje kishte hapur një galeri arti të menaxhuar nga nusja e Lukashenkos në një qendër tregtare në Minsk.

Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se gjatë dekadave të fundit familja Kariq kishte arritur të ngjitej në majat e industrisë së pasurive të paluajtshme në Bjellorusi, duke siguruar përfitime të mëdha financiare falë lidhjeve të tyre të ngushta me Lukashenkon – udhëheqësin që sundon vendin me “dorë të hekurt” prej vitit 1994.

Pas protestave masive të vitit 2020, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, regjimi i tij reagoi me shtypje brutale: mbi 32 mijë persona u arrestuan, mijëra u rrahën nga policia dhe opozitarët kryesorë u burgosën ose u detyruan të largoheshin nga Bjellorusia.

Në dhjetor 2020, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Dana Holdings dhe një prej degëve të saj, duke e akuzuar për përfitime dhe mbështetje ndaj regjimit të Lukashenkos.

Më pas, më 9 gusht 2021, SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja vendosën një valë të re sanksionesh tregtare e financiare kundër Bjellorusisë, në përvjetorin e parë të zgjedhjeve që i siguruan Lukashenkos një mandat tjetër dhe ndezën një valë të paparë protestash.

Si kundërpërgjigje, Lukashenko kërkoi nga SHBA-ja që deri më 1 shtator 2021 të zvogëlonte stafin e Ambasadës amerikane në Minsk në vetëm pesë persona.

Pas shtypjes së protestave dhe izolimit ndërkombëtar, regjimi i tij ka mbetur i mbështetur pothuajse vetëm nga Rusia./REL/