Dhjetëra avionë ushtarakë amerikanë nuk ndodhen më në pistën e një baze të madhe ushtarake në Katar, sipas imazheve satelitore të publikuara nga Agence France-Presse.
Kjo mund të jetë një lëvizje për t’i mbrojtur ata nga sulmet ajrore të mundshme iraniane, teksa Uashingtoni po shqyrton mundësinë e përfshirjes në konfliktin midis Iranit dhe Izraelit, shkruan A2 CNN.
Ndërmjet datave 5 dhe 19 qershor, pothuajse të gjithë avionët që ishin të dukshëm në bazën Al Udeid janë zhdukur nga pamja e hapur, sipas imazheve të siguruara nga kompania Planet Labs PBC dhe të analizuara nga AFP.
Më 5 qershor, ishin rreth 40 avionë ushtarakë të parkuar në pistë, përfshirë avionë transportues si Hercules C-130 dhe avionë zbulues. Ndërsa në një imazh të datës 19 qershor, janë të dukshëm vetëm tre avionë.
Ambasada amerikane në Katar njoftoi më herët sot se hyrja në bazë do të kufizohet “nga një kujdes i shtuar dhe në dritën e tensioneve të vazhdueshme në rajon”, duke u kërkuar gjithashtu personelit që të “tregojnë vigjilencë të shtuar”.