Shtetet e Bashkuara kanë vendosur martën sanksione ndaj një rrjeti të kontrabandës së naftës që sipas Uashingtonit, është i lidhur me rebelët Houthi dhe shtrihet në Jemen dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky veprim vjen si pjesë e një serie masash të reja që synojnë grupin militant të mbështetur nga Irani.
Sipas Reuters, përmes një deklarate të Departamentit Amerikan të Thesarit, dy individë dhe pesë subjektet e sanksionuara janë ndër importuesit më të mëdhenj të produkteve të naftës dhe përfitues të pastrimit të parave që ndihmojnë Houthit.
Kujtojmë se që nga nisja e luftës së Izraelit në Gaza, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë sulmuar vazhdimisht anije në Detin e Kuq, duke i cilësuar këto sulme si akte solidariteti me palestinezët.
Në janar, presidenti Donald Trump e riklasifikoi lëvizjen Houthi si një organizatë terroriste e huaj, me qëllimin për të vendosur ndëshkime më të ashpra ekonomike si përgjigje ndaj sulmeve të tyre mbi anijet tregtare dhe luftanijet amerikane që mbrojnë këtë korridor detar strategjik.
Kurse, në muajin maj SHBA njoftoi një marrëveshje të papritur me Houthit, në të cilën ra dakord të ndalonte fushatën e bombardimeve në këmbim të ndalimit të sulmeve mbi anijet. Megjithatë, Houthit deklaruan se marrëveshja nuk përfshinte pezullimin e veprimeve të tyre kundër Izraelit.