Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim me homologun e tij kinez në Stokholm për të diskutuar mundësinë e zgjatjes së afatit të 12 gushtit për një marrëveshje që do të shmangte rritjen e ndjeshme të tarifave.
Reuters raporton se përmes një interviste për programin “Mornings With Maria” në Fox Business Network, Bessent ka thënë se tregtia me Kinën është në “një pikë shumë të mirë” dhe se takimet në Stokholm do të zhvillohen të hënën dhe të martën e ardhshme.
“Mendoj se kemi kaluar në një fazë të re me Kinën, ku gjithçka është shumë konstruktive dhe do të mund të realizojmë shumë gjëra tani që tregtia është stabilizuar në një nivel të mirë,” ka thënë Bessent.
Takimi është konfirmuar edhe nga kryeministri suedez, Ulf Kristersson, përmes një postimi në platformën X.
Kujtojmë se që nga mesi i majit, Bessent është takuar dy herë me Zëvendës Kryeministrin kinez He Lifeng në Gjenevë dhe Londër, për të negociuar dhe përmirësuar një armëpushim të përkohshëm tregtar që uli përkohësisht tarifat ndëshkuese reciproke që rrezikonin ndërprerjen totale të tregtisë midis dy ekonomive më të mëdha të botës.
Gjatë bisedimeve deri më tani, Kina ka rënë dakord të heqë ndalimin e eksportit të metaleve të rralla dhe magneteve drejt SHBA-së, ndërsa SHBA ka pranuar të rifillojë eksportet e softuerëve të projektimit të gjysmëpërçuesve, materialeve të prodhimit dhe motorëve të avionëve komercialë si dhe mallrave të tjera drejt Kinës.
Megjithatë, palët kanë vendosur një afat 90-ditor për të zgjidhur çështjet më të thella, përfshirë ankesat amerikane për modelin ekonomik të Kinës të udhëhequr nga shteti dhe i subvencionuar, që ka krijuar tepricë kapaciteti prodhues duke përmbytur tregjet botërore me mallra të lira. Kina i ka mohuar akuzat për subvencione, duke i atribuar suksesin e eksporteve të saj inovacionit.