Shtetet e Bashkuara dështuan të fitojnë besimin e delegacionit iranian në bisedimet në Islamabad, sipas udhëheqësit të negociatorëve iranianë, Mohammad Bagher Ghalibaf, raporton CNN.
“Para negociatave, theksova se kemi vullnetin e mirë dhe vendosmërinë e nevojshme, por për shkak të përvojave nga dy luftërat e mëparshme, nuk i besojmë palës tjetër”, shkroi Ghalibaf në X pas 21 orësh bisedimesh.
“Kolegët e mi në delegacionin iranian paraqitën 168 propozime konstruktive dhe me vizion përpara, megjithatë pala kundërshtare në fund dështoi në këtë rund bisedimesh ta fitojë besimin e delegacionit”.
“Amerika e kuptoi logjikën dhe parimet tona, dhe tani është koha që ajo të vendosë nëse mund ta fitojë besimin tonë apo jo”, shtoi Ghalibaf në postimin e tij.
Ghalibaf, i cili është kryetar i parlamentit iranian dhe veteran i regjimit islamik të Iranit, tha se diplomacia ishte “një metodë tjetër krahas luftës ushtarake për të siguruar të drejtat e kombit iranian, dhe ne nuk do të ndalim kurrë përpjekjet tona për të konsoliduar arritjet e mbrojtjes kombëtare 40-ditore të iranianëve”.