Xherdan Shaqiri e ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”, përmes së cilës ka folur për eksperiencën e shkurtër që e kishte tek Interi, por foli edhe për Juventusin, përcjell “Gazeta Express”.
Ai zbulon se në atë kohë do të mundë të ishte 10-shi i “Bianconerëve”, por pas një kohe u transferua në Inter nga Bayern Munichu.
“Mund të isha 10-shi i Juventusit disa vite më herët, para se të shkoja në Inter. Më donin në vend të Diegos, i cili luante prapa sulmuesve. Unë isha në Bayern dhe nuk po luaja shumë, e kisha të hapur mundësinë e transferimit. Por, më pas nuk ndodhi asgjë. Do më pëlqente, në atë kohë, por shkoi mirë edhe kështu: tashmë në Itali bëj tifo për ‘Nerazzurri’”, deklaroi futbollisti i Baselit.
Prej Interit, ku nuk e pati ndonjë eksperiencë pozitive, Shaqiri u transferua në Stoke City, ku e riktheu formën për t’u transferuar në Liverpool.
Më pas luajti shkurt në Olympique Lyon dhe tutje e provoi një eksperiencë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek Chicago Fire para se të rikthehej përfundimisht tek klubi i fëmijërisë, Basel. /Gazeta Express