Kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, në debatin e sotëm të balotazhit tha se qytetarët duhet t’i japin edhe një mandat për ta çuar përpara punën e nisur.
Totaj theksoi se qeverisja e tij ka pasur performancë të lartë dhe është vlerësuar pozitivisht edhe nga raportet ndërkombëtare për transparencë. Ai përmendi se Komuna e Prizrenit ka fituar edhe “Grantin e Performancës” si dëshmi e menaxhimit të mirë institucional.
“Sistemi i vlerave që unë përfaqësoj mundëson zhvillim, ka frymë ekipore dhe bashkëpunim pa dallime politike apo komunitare. Kjo qasje është bazë e fortë për të vazhduar në mandatin e ardhshëm”, tha Totaj.
Duke folur për prioritetet e katër viteve të ardhshme, ai përmendi adresimin e çështjes së parkingjeve, furnizimin e qëndrueshëm me ujë, ngritjen e ngrohtores së qytetit dhe ndërtimin e një kolektori të dytë të ujërave të zeza.