Në kuadër të takimeve me qytetarët, Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar banorë nga komuniteti rom në lagjen “Jeta e Re”, me të cilët ka bashkëbiseduar për nevojat e tyre dhe projektet që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës në këtë zonë.
Kryetari Totaj tha se përfshirja e të gjitha komuniteteve në zhvillimin e Prizrenit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.
“Prizreni është qytet i bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Ne kemi dëshmuar me vepra se zhvillimi nuk njeh dallime, por përfshin çdo qytetar, pa përjashtim. Kështu ndërtojmë një Prizren të barabartë dhe me mundësi për të gjithë” – deklaroi Totaj.
Ai theksoi se vendimi për njohjen e gjuhës Rome në përdorim zyrtar ka qenë hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së plotë të komunitetit rom në jetën institucionale.
“Njohja e gjuhës Rome në përdorim zyrtar ka qenë një vendimmarrje që shënon respekt, integrim dhe barazi. Ky është mesazhi ynë i qartë: çdo qytetar i Prizrenit është i rëndësishëm dhe ka vend në zhvillimin e përbashkët të qytetit tonë” – tha ai.
Kryetari Totaj nënvizoi se puna do të vazhdojë me projekte konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës, integrimin social dhe ngritjen e mirëqenies në çdo lagje dhe fshat të komunës.
“Mandati ynë i dytë do të jetë edhe më i fuqishëm në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe përfshirje sociale, që asnjë qytetar të mos mbetet pas” – përfundoi Totaj.
Banorët e komunitetit rom në “Jetën e Re” shprehën mirënjohje për përkushtimin e Komunës dhe vlerësuan qasjen e Kryetarit Totaj si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së plotë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Prizren