Ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama i kanë adresuar drejtpërdrejt thashethemet për një divorc në një episod të podcast-it të saj të publikuar të mërkurën.
“Ajo më pranoi sërish!” tha Barack Obama në podcast-in “IMO with Michelle Obama and Craig Robinson”. “Për një çast ishte e pasigurt”.
Spekulimet për martesën e çiftit të dikurshëm presidencial janë përhapur shumë muajt e fundit. Disa nga këto thashetheme u përforcuan pas disa paraqitjeve publike ku Michelle Obama nuk iu bashkua bashkëshortit të saj, përfshirë inaugurimin e Presidentit Donald Trump në janar, shkruan CNN.
“Është kaq mirë t’ju kemi të dy në të njëjtën dhomë”, tha Robinson, i cili është vëllai i Michelle Obamas, drejtuar çiftit. Michelle u përgjigj: “E di, sepse kur nuk jemi bashkë, njerëzit mendojnë se jemi ndarë”.
Robinson tregoi një histori kur një grua në aeroport iu afrua për ta pyetur rreth martesës së tyre. “‘Çfarë bëri ai?’” tha Robinson se e pyeti ajo.
“Këto janë gjërat që më mungojnë”, tha Barack Obama. “Kështu që as nuk e di që këto gjëra po ndodhin, dhe pastaj dikush ma përmend dhe unë them: për çfarë po flet?”.
Michelle Obama vazhdoi duke thënë: “Nuk ka pasur asnjë moment në martesën tonë kur kam menduar të heq dorë nga burri im. Dhe kemi kaluar disa kohë shumë të vështira dhe kemi pasur shumë kohë të këndshme, shumë aventura dhe jam bërë një person më i mirë falë burrit me të cilin jam martuar”.
Ajo i ka adresuar spekulimet për martesën e saj dhe vendimin për të mos marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit.
“Vendimi im për ta anashkaluar inaugurimin, ajo që njerëzit nuk e kuptojnë – apo vendimet e mia në fillim të këtij viti që më përshtateshin mua, u pritën me tallje dhe kritika”, shpjegoi ajo në një episod të mëparshëm të podcast-it të saj. “Njerëzit nuk mund të besonin që po thosha ‘jo’ për ndonjë arsye tjetër, prandaj duhej të supozonin që martesa ime po shkatërrohej”.
Barack dhe Michelle janë martuar në vitin 1992 dhe kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.